Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 22-vjetorin e Masakrës së Dubravës, duke thënë se forcat serbe zbrazën egërsinë e tyre kundrejt të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, fillimisht duke i torturuar e pastaj duke i ekzekutuar 150 dhe plagosur afro 300 prej tyre.
Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook tha se Masakra në Burgun e Dubravës është njëra ndër dëshmitë rrëqethëse të krimeve nga regjimi gjenocidal serb dhe e cila ende nuk ka marrë një përgjigje nga instancat e drejtësisë.
“Një kallëzim penal nga Shoqata e të Burgosurve Politik i bërë vite më parë ende nuk ka epilog.
Përkushtim i yni mbetet që dëshmitë e të mbijetuarve për këtë krim të mund të adresohen dhe drejtësia ta thotë fjalën e vetë, si një parakusht për paqe të qëndrueshme”, shkroi ajo.