Mbrëmë ka qenë nata e dytë e gjysmë finales së festivalit evropian “Eurovision 2021”, ku shqiptarja Anxhela Peristeri me këngën e saj “Karma” kaloi në finale të këtij festivali.
Por, një gjë ra në sy gjatë mbrëmjes së djeshme, teksa këngëtaret nga Serbia, Ivana Nikolić, Ksenija Knežević dhe Sanja Vučić dërguan Serbinë në finale, u pa edhe kryetari i delegacionit shqiptar i cili shkoi për të uruar ekipin serb për kalimin në finale.
Kryetari i delegacionit shqiptar, Kleart Duraj, në një prononcim për Express Rozë tha se ka bërë të njëjtën gjë që kishin bërë edhe ekipi serb duke i uruar ata.
“Kam uruar producentin Darko Dimitrov dhe homologen time, kryetaren e delegacionit të Serbisë për kualifikimin në finale, është urim mese normal mes kolegesh, ashtu siç na uruan edhe ata ne, për më tepër që i kishim në korridorin ku kalonim për të dale nga green room”, tha Duraj.
Në videon e shpërndarë në rrjete sociale nga delegacioni i Serbisë, shihej ai duke dërguar puthje dhe uruar ekipin e tyre për kalimin në finale, teksa ai u shpreh se edhe homologia e ekipit serb e kishte uruar ata.
“Unë nuk e di se si i montojnë videot ata por siç mund ta shikosh edhe nga ajo pjese që kanë nxjerrë Darko ka qenë në këmbë ndërsa kolegia ime serbe u ngrit në këmbë për të më uruar”, u shpreh ai për Express.