Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qenë mbrëmë e ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, ku ka folur për Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Haxhiu ka treguar nëse do të hetohen edhe milionerët e Vetëvendosjes.
Ajo ka thënë se do të hetohen të gjithë zyrtarët, por se për asnjërin prej zyrtarëve të VV’së thotë se nuk ka njohuri që ka fituar pasuri nga veprimtaria e paligjshme apo abuzimi.
“Të gjithë. Unë nuk e di që ka në Lëvizjen Vetëvendosje, zyrtarë që ka pasuri që është fituar nga veprimtaria e paligjshme ose nga abuzimi. Për asnjërin prej tyre nuk e di që e ka fitu atë pasuri, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare. Pyetja nuk është në rregull, sepse unë thash të gjithë zyrtarët e lartë dhe familjet e tyre, nuk thash veç zyrtarët e PDK’së”, ka thënë Haxhiu.
Por, kush janë milionerët e Vetëvendosjes?
Xhelal Sveçla
Vetëm pronat e ministrit aktual të Punëve të Brendshme kapin shifrën e gati dy milionë eurove.
Sveçla në pronësi të përbashkët ka dy lokale afariste, një në vlerë 600 mijë, e tjetri në vlerë 650 mijë euro.
Përveç tyre, shtëpia e Sveçlës kap vlerën e 600 mijë eurove, teksa trualli 100 mijë.
Jahja Koka
Pasuri milionëshe ka edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Jahja Kokaj.
Ky i fundit, në AKK ka të deklaruar një shtëpi me bibliotekë në vlerë prej 480 mijë eurosh.
Një dyqan në vlerë 380 mijë euro, një shtëpi tjetër në vlerë 140 mijë euro, si dhe dy banesa, një në vlerë 80 mijë, e tjetra 85 mijë euro.
Të gjitha këto, Kokaj i ka në emër të tij.
Në pronësi të veten ai ka edhe një veturë në vlerë 12 mijë euro.
Në bankë, ai ka hiç më pak se 87 mijë euro të cilat janë në pronësi të tij dhe familjarëve.
Valon Ramadani
Pasuri marramendëse ka edhe deputeti i VV-së, Valon Ramadani.
Madje, të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, në emër të prindit, Ramadani ka truall që vlenë hiç më pak se 2 milionë e 300 mijë euro.
Një tjetër truall i prindit të tij kap vlerën e 795 mijë eurove, teksa një tjetër parcel 300 mijë euro.
Ai ka edhe një shtëpi banimi në vlerë 35 mijë euro.
Në garazhën e familjes Ramadani janë dy vetura: Një në vlerë 5 mijë e 500 euro, një në vlerë 15 mijë.
Mytaher Haskuka
Në emër të tij, i pari i Prizrenit ka të deklaruar një shtëpi banimi në vlerë prej 300 mijë eurosh.
Në emër të prindit, ai ka të deklaruara dy shtëpi, një në vlerë 300 mijë, e një në vlerë 270 mijë euro.
Në pronësi të prindit ka edhe dy shitore, një në vlerë 150 mijë, e tjetra në vlerë 120 mijë euro.
E veç ara punuese, në emër të prindit Haskuka ka në vlerë prej më shumë se 1 milion. Të deklaruar një të tillë e ka në vlerën e 800 mijë eurove, teksa një tjetër në vlerën e 300 mijë eurove.
Në pronësi të veten, ai ka të deklaruar edhe një banesë në vlerë prej 54 mijë eurosh.
Familja e tij ndërkaq posedon tri vetura, një në vlerë 7 mijë, një 6 mijë, dhe një tjetër 17 mijë euro.
Agim Bahtiri
I dalë në VV nga AKR, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri veç një pronë në pronësi të përbashkët e ka në vlerën e 6 milionë e 250 mijë eurosh.
Përveç kësaj, ai ka edhe katër shtëpi, të gjitha në pronësi të përbashkët të deklaruara.
Një shtëpi kap vlerën e 860 mijë eurove, dy në vlerën e 150 mijë eurove, teksa një tjetër në vlerën e 200 mijë eurove.
Ai vozit një veturë në vlerë të 10 mijë eurove, teksa ka edhe 20 mijë euro në bankë.