Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi-Sadiku ka thënë se Qeveria po qëndron në frymën e Marrëveshjes së Washingtonit.
Ajo ka thënë se pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër kësaj Marrëveshjeje sa ishte në opozitë, tash në Qeveri nuk po e kundërshton të njëjtën.
Këtë ka shtuar Mjekiqi-Sadiku, Qeveria po e bën duke mos kërkuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, një kërkesë që me Marrëveshjen e Washingtonit kërkohet të respektohet për një vjet.
“Në fushatën parazgjedhore, përfaqësuesi i VV-së ka deklaruar në disa prej debateve që organizoheshin që në momentin e parë që vijnë në pushtet do të kërkojnë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i bie shkelje e Marrëveshjes. Në të njëjtën kohë ishin kundër kësaj Marrëveshje, dhe tash i bie se në fakt janë në frymën e kësaj marrëveshje për faktin se nuk kanë kërkuar anëtarësim në organizata dhe nuk e kanë bërë të ditur se do të bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë ajo në KTV.