G.K, 50-vjeç, u vra me armë zjarri dje, pak metra larg banesës së tij në Pejë. I dyshuari kryesor është Xhevdet Januzaj, ish- kujdestari i klasës së vajzës së viktimës në shkollën “Dardania” në Pejë. Arsimtari i Fizikës ishte dënuar me tri vite e gjashtë muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të profesionit për vepren penale “sulm seksual”, të kryer në vitin 2019, ndërsa nxënësja – viktimë e këtij rasti, ishte vajza e G.K., në atë kohë 13-vjeçare. Se si ndodhi vrasja, djali i viktimës ka rrëfyer versionin e familjes së tij për Gazetën Express.
Telashet mes arsimtarit dhe babait të vajzës, për të cilën shokët e shoqet e klasës thanë se ishte e shkëlqyeshme dhe nuk iu ka paraprirë ngacmimeve seksuale, vazhduan edhe pasi gjykata e shpalli fajtor arsimtarin Xhevdet Januzaj.
Sipas familjes së viktimes, kohëve të fundit u kishte ardhur atyre te banesa dhe i ruante me sakicë. Veprimet e tij i kishte denoncuar në polici G.K., një ditë para se të vritej, thotë djali i tij. Por, familja e viktimës kishte marrë kërcënime nga profesori edhe në të kaluarën që të tërhiqeshin nga deklarata e tyre për sulm seksual ndaj nxënëses.
Djali i viktimës, i cili ndodhej duke punuar në Prishtinë kur dje mori telefonatën nga motra e tij, për vrasjen e babait, rrëfen zanafillën e problemeve me profesorin që çuan deri te vrasja.
“Historia ka ndodhur më 27 dhjetor 2019 kur kujdestari i klasës e ka thirrë motren tem në kabinet të shkollës për arsye me i mbyll notat. Kur ka hy brenda ka tentu me sulmu seksualisht, motra jem ka arritë me ikë prej kabinetit edhe ka ardhë në shtëpi na ka tregu. Ne e kemi denoncu rastin në polici, edhe kur e kemi denoncu atë (dorasin), e kanë marrë në paraburgim veç një muaj. Pas një muaji e kanë lëshu, ka qenë arrest shtëpiak dhe ka dalë edhe gjatë asaj kohe. Pasi u kry gjyqi, ai u dënu me tri vite e gjashtë muaj burgim, por se ka majt asnjë ditë burg edhe pse ka qenë i dënuar. Të hënën më 17 maj, ka nejt gjithë ditën para banesës ka dashtë me na vra, ose mua ose babin dikënd prej neve”, tha Kastrati për Gazetën Express.
Tutje djali i viktimës thotë se dorasi i ka ruajtur me sakicë para banesës, atë dhe babanë e tij.
“Na ka rujtë me sakicë para lokalit, poshtë banesës. Ne nuk jemi kanë kerkush në shtëpi, edhe na kanë tregu kojshija. I kanë thanë babit ruju vetë edhe ruje djalin se gjithë ditën të ka rujtë te banesa poshtë po don me ju vra. Babi u shku e ka denoncu rastin në polici, dhe policia i ka thënë se ky është për momentin i lirë dhe ka të drejt me shku kudo. E kanë pyet se a të kanë kërcënu personalisht, i ka thënë se ku po don më kërcënim sesa me të rujtë te banesa. I kanë thënë se nuk munden me ndihmu kurgjë, përderisa nuk e ka kërcënu personalisht. Nesër me datë 18 maj, babi ka dalë poshtë lokalit te banesa edhe e ka vra me allti të vet”, tha ai për Gazetën Express.
Teksa rrëfeu për ngjarjen, djali i viktimës tha se nga dorasi kanë pranuar kërcënime edhe në të kaluarën.
“Unë në ato momente kam qenë në pune në Prishtinë, lajmin e mora nga motra përmes telefonit. Prej tij direkt s’kemi pas kërcënime, por prej vëllëzërve të tij një herë po. Na kanë thënë që nëse nuk e tërheqni deklaratën do të keni probleme. Na kanë kërcënu përmes familjarëve. Ne nuk e kemi tërheq denoncimin kemi besu në drejtësi e në shtet. Por qe çka ndodhi”.
Një ditë pas, pranë lokalit ku ndodhi vrasja në Pejë
Ai rrëfeu se në ditën tragjike ka pasur komunikim me babanë e tij, tashmë të ndjerë, i cili i ka kërkuar që kur të mbërrijë në Pejë ta njoftonte me telefon në mënyrë që të dilte për ta marrë.
“Në ditën tragjike kam pas komunikim me babain më ka thënë kur të vish në Pejë, thirrëm në telefon e dal me të marrë se është ka na ruan. Ruju sa të mundesh ka thënë edhe nëpër Prishtine sa të jesh atje. Se ka thënë mos po të vjen atje”.
Në ditën kritike për babanë e tij, djali tha se të dy kanë qenë të armatosur, por të atit nuk i ka shkrepur revolja.
“Më ka thënë që po dal në qytet me ble do bukë, babi u ulë tani në lokal, ai ka ardhë dhe e ka vra. Edhe babi ka qenë i armatosur, veç babit nuk i ka shkrep alltia. Ata janë kanë në lokal, saktësisht se di qysh ka ndodh rasti. E di qe ka qenë në lokal, dytë i kanë nxjerrë alltiat veç se ai e ka vra babin”, shtoi ai.
Djali tha se vazhdojnë të ndihen të rrezikuar, teksa kërkoi që sa më shpejt dorasi të vihet në pranga.
“Ndihemi të rrezikuar pasi ai ndodhet në arrati. Mbrëmë e kanë çu policinë te banesa me na rujtë. Kanë mujtë me çu ma herët policinë edhe mos me ndodh ky rast.
“Duhet sa më shpejt me ndërmarrë masa, me arrestu dorasin, mos me u ndi ne të tjerët të kërcënuar. Edhe me i marrë senet ma seriozisht, kur të shkon dikush me lajmëru ndonjë kërcënim, e jo me thanë a të ka kërcënu personalisht. Përderisa është një problem me një person edhe të vjen te banesa, për çka po të vjen ai me sakicë. Ajo u kanë kërcënim edhe policia ka thënë se ka drejt me ardhë, deklarata është në polici që babai e ka dhënë me datë 17 maj, rreth orës 22:00”, u shpreh ai për Gazetën Express.
Ai tha se motra e tij, që ishte sulmuar seksualisht nga arsimtari dhe kujdestari i klasës, akoma ka trauma.
“Motra hala ka probleme, hala frikësohet naten, tutet me shku në shkollë. Atë ditë nuk e ka lanë babi e as ajo vetë s’ka dashtë me shku në shkollë…Jemi mundu me majtë motren sa më shumë afër vetes edhe me ja hekë atë, që ai është dënu”, përfundoi ai.
Në vendin e ngjarjes besohet se janë gjetur shtatë gëzhoja plumbash, ndërsa dorasi vazhdon të ndodhet në arrati.
“Në rrethana të panjohura, një i dyshuar mashkull ka qëlluar me armë zjarri për vdekje viktimën mashkull kosovar dhe është larguar në drejtim të panjohur. Njësit relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konfirmuar vdekja e viktimës ndërsa afër tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia.
Me rastin po merret edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për të Mitur kishte shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit XHevdet Januzaj për shkak se:
“Me datë 27.12.2019 rreth orës 07:20 min, në Pejë, pikërisht në kabinetin e shkollës fillore, i pandehuri XH.J fillon që ta prek për qëllime seksuale nxënësen e tij të mitur, ashtu që i njëjti një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vije në kabinet me qëllim që t’i ndihmoj për t’i nxjerr mungesat dhe statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike pasi që arrin në shkollë, shkon në kabinet ku vjen pandehuri, i afrohet të miturës te banka dhe pa pëlqimin e saj e ngacmon, ku e mitura me forcë e shtyn të pandehurin duke e larguar nga vetja dhe me vrap del nga kabineti, shkon në shtëpi dhe njofton familjaret e saj.
Me këto veprime i pandehuri XH.J ka kryer vepër penale sulm seksual nga neni 229 par.3. nen par. 3.7 dhe 3.10 e lidhur me par. l të KPRK-së”, kishte njoftuar gjykata.
“Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit e në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëqind (100) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë (50) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në varrezat e qytetit në Pejë.