Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e sotme paragjyqsore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është ankuar në lidhje me informacionet që i janë ofruar nga Prokuroria.
Avokati Prosper tha se informacioni i oftuar nuk është i plotë.
“Informacioni që është vënën në dispozicion është pothuajse i palexueshëm. Dokumentacioni që na është dhënë nuk është i plotë, është i një kualiteti shumë të dobët”, tha ai
“Besojmë që duhet nxjerrë më shumë informacion”, theksoi avokati amerikan.
Në nëntor të vitit të kaluar u arrestuan katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.