Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka shpallur kriminelë të luftës ish-drejtorin politik të UÇK-së dhe udhëheqësit tjerë politikë e ushtarakë të luftës, që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Behramaj ka thënë se Kurti, mbrëmë nga Brukseli i ka barazuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin me shërbëtorët e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!”, ka shkruar Behramaj.
“Ai paska konstatuar tërthorazi se Kosova e ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg, ndonëse i paskan ngelur merak edhe disa kryetarë partish, sepse, sipas tij, edhe më tej paska kriminelë të luftës që dominojnë në institucione dhe parti politike”, ka shtuar ai.
Behramaj e ka cilësuar Kurtin si të paaftë si kryeministër, ndërsa tha se dorëheqja e tij do ta shpëtonte Kosovën.
“Albin Kurti po ballafaqohet me paaftësinë e tij si kryeministër dhe tash po mundohet të gjejë shpëtim aty ku ndjehet i pakonkurrencë: në sulmet e ulëta politike! Edhe Prokurori i Specializuar është më i kujdesshëm se Kurti. Dorëheqja e tij do ta shpëtonte Kosovën nga turpërimi i mëtejmë në arenën ndërkombëtare!”, shkroi Behramaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka qëndruar në Bruksel për një darkë të cilët e ka shtruar përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, e në të cilën kanë marrë pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka përmendur edhe tri shtyllat kryesore mbi të cilat vendet e Ballkanit e Përëndimor, përfshirë edhe Kosovën, mund të ecin përpara drejt integrimit në BE. Një nga këto shtylla, siç thotë Kurti, është eliminimi nga skena politike e kriminelëve të luftës, megjithatë ai nuk e ka specifikuar se për kë saktësisht e ka fjalën.