Mediat raportuan sot për një vrasje që tronditi Pejën, në lokalin Zhara, ku mbet i vdekur Gëzim Kastrati, i cili dyshohet se u qëllua nga Xhevdet Januzaj. Viktima, Gëzim Kastrati ishte nisur për te lokali për t’u hakmarrë për një rast që dyshohet se ka ndodhur para më shumë se një viti, ku Xhevdet Januzaj dyshohet se kishte tentuar ta dhunonte vajzën e Kastratit.
Lidhur me këtë rast për Gazetën Sinjali ka folur djali i të dyshuarit, Xhevdet Januzaj, Gj. Januzaj, i cili ka dhënë versionin e tij për këtë ngjarje.
“Për mu o tmerr kjo, po të kallxoj shpirtnisht. Ai i ka shku babës në tavolinë derisa ka qenë t’u pi kafe. 30 sekonda ka folë edhe e ka nxjerrë armën por s’i ka shkrep edhe baba e ka nxjerrë armën e vet, që e ka pasë me leje dhe ka gjujtë.
Mua nana më ka vdekë para 7 vitesh prej kancerit. Ne kemi jetu në Prizren. Babës më pas iu është ofru një punë në Pejë edhe ka shku aty me punu. Sa ka nejtë në Pejë është njoftuar me S.M (drejtoreshë e një shkolle në Pejë) dhe janë martu. Ajo e ka inskenu këtë ngjarje. Babai ka punu në një shkollë fillore në Pejë, ku ka qenë nxënëse vajza e të ndjerit. Ajo (drejtoresha) e ka bo me qëllim se e ka shti babën në punë. Baba ka qenë i dënuar për “sulm seksual” po rasti është kthy në rigjykim mas ankesave”, tha ai për Sinjalin.
Gazeta Telegrami sot raportoi më parë se viktima, Gëzim Kastrati ishte nisur për te lokali Zhara për t’u hakmarrë ndaj Januzajt.
Derisa Xhevdet Januzaj ishte i ulur afër hyrjes së lokalit dhe pinte kafe, Gëzim Kastrati tashmë i ndjeri, kishte hyrë në lokal dhe ishte ulur në një tavolinë në një qoshe. Në momentin që ai është ulur, ka kërkuar nga kamarieri që ta fotografonte Januzajn dhe t’ia sjellte një birrë. Por, kamarieri refuzoi që ta fotografonte Januzajn dhe ia dërgoi vetëm birrën viktimës.
Posa e kishte pirë një gllënjkë të birrës, Kastrati shkoi te një qoshe e lokalit, mbushi armën që mbante, e cila ishte e vjetër dhe u nis për te tavolina e të dyshuarit.
Në momentin që arriti, dëshmitari rrëfen se Kastrati tentoi ta qëllojë Januzajn por nuk i shkrepi revola. Por dorasi nuk priti shumë, nxori revolen e tij personale dhe e qëlloi të ndjerin me 7 plumba dhe e la të vdekur aty.
Januzaj iku me veturën e tij dhe ende nuk është kapur nga Policia.