Ushtria izraelite tha se nisi artilerinë drejt Libanit të hënën në përgjigje të zjarrit me raketa nga vendi fqinj që nuk arriti të godiste shtetin hebre.
“Gjashtë përpjekje të dështuara u identifikuan nga Libani që nuk kaluan në territorin Izraelit”, ka thënë ushtria në një deklaratë.
“Forcat e artilerisë qëlluan drejt burimeve të nisjeve”.
Një burim ushtarak libanez i tha AFP-së se tri raketa ishin qëlluar nga Libani Jugor drejt Izraelit.
“Tri raketa të tipit Grad u qëlluan nga zona e Fermave Shebaa”, jo shumë larg kufirit me Izraelin, tha burimi ushtarak libanez.
“Situata në zonë tani është e qetë”, shkroi në Twitter misioni paqeruajtës i OKB-së në Libanin jugor, i cili është në kontakt me të dy vendet, disa orë pas zjarrit me raketa, shkruan France24, përcjell Telegrafi.
Kjo është hera e dytë që raketat lëshohen nga territori libanez drejt Izraelit që nga fillimi i armiqësive midis shtetit hebre dhe grupeve të armatosura palestineze në Rripin e Gazës javën e kaluar.
Të enjten e kaluar, tri raketa u qëlluan nga Libani jugor pranë kampit palestinez të refugjatëve Rashidiyeh drejt Izraelit, tha një burim ushtarak libanez. Ushtria e Izraelit tha se ato raketa kishin rënë në det.
Një burim i afërt me armikun e Izraelit, Hezbollah, tha se grupi Shiit Libanez nuk kishte asnjë lidhje me incidentin.
Protesta janë mbajtur gjithashtu kundër fushatës ajrore të Izraelit në Gaza, me një demonstrues libanez të vrarë nga zjarri izraelit javën e kaluar gjatë një tubimi në zonën kufitare.
Kjo erdhi pasi një numër demonstruesish të rinj ishin përpjekur të kalonin në qytetin verior izraelit kufitar të Metula, sipas medias shtetërore libaneze.