Ish udhëheqësi i Lëvizjes Popullorë, Ibrahim Kelmendi, në një intervistë të dhënë ndër tjerash ka folur për vrasjen e heroit Jusuf Gërvalla dhe vëllai të tij, Qerim Kelmendit.
Sipas Ibrahim Kelmendit, vrasjen e Jusuf Gërvallës e kishte urdhëruar Riza Salihu.
“Fatkeqësisht, në fund të janarit informohem nga Hysen Gega, se atë e kishte urdhëruar Riza Salihu për ta vrarë Jusufin. Riza kishte formuar në Stuttgart Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”, dhe ishte Kryetar i tij, ndërsa Hysenin e kishte caktuar si Nënkryetar. Tashmë Kryetari kishte urdhruar Nënkryetarin për ta vrarë Jusufin, me arsyetimin se kinse atë e kishte dërguar UDB-a për ta spiunuar grupin e tij komunist.
E informuam Jusufin për atë urdhër dhe u dakorduam të taktizojmë ca kohë ndaj Rizait, që të bindëshim se ai ishte kuadër i UDB-es. Taktizuam më shumë se dy muaj, ngaqë Hyseni ishte një inteligjencë brilante, edhe pse në humor e sipër thoshte se ka mbaruar vetëm katër klasë fillore, respektivisht se e ka kryer vetëm kollin dhe fruthin. Në fakt ai lexonte të paktën një libër në javë dhe ia rrëfente përmbajtjen dhe mesazhin në manirin e një kritiku të shquar letrar.
Në finalizim të taktikës patëm takim ballafaques në banesë të Hysen Gegës në Esslingen, meqë Hyseni na pat treguar ditën dhe orën, kur do t’i shkonte Rizai për “vizitë pune”. Ishim në atë ballafaqim unë, Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksuti, Saramati dhe cimeri i Hysenit, nga Lugina. E kishim bërë regjinë e ballafaqimit. Kur Riza nuhati rrezikun, zuri të qante, duke i kërkuar falje e mëshirë Jusufit. Zurit të qante edhe Jusufi. Ajo brishtësi e Jusufit na e prishi pak “filmin”. Unë, Hyseni dhe Maksuti në ato çaste ishim pak ca te zhgënjyer nga Jusufi pse e mëshiroi Rizen…”, ka thënë Ibrahim Kelmendi.
Kurse vrasjen e vëllait të tij Qerimit, sipas Ibrahim Kelmendit e kanë kryer shërbimet serbe.
“Mendoj që shërbimet sekrete Serbe kanë pasur “arsye” të mjaftueshme për t’u hakmarrë, prandaj e kanë gjykuar momentin si të volitshëm. Me siguri urdhërdhënësit kanë vlerësuar që kontributi i tij i madh në luftën çlirimtare e meriton një masakër kaq sadist. Intenca e tyre me siguri ka qenë nxitja e hutisë dhe dyshimeve që do të eskalonin në armiqësi ndërmjet bashkëveprimtarëve. Nuk përjashtohet mundësia që lufta speciale si specialitet i posaçëm i shërbimeve sekrete serbe dhe argatëve shqipfolës e shqipshkrues, ta ketë nxitur ndonjë grup idiotësh për ta bërë krimin, me bindjen se po hakmerrëshin për vrasjet politike, për të cilat akuzohej Qerimi herë tërthorazi e herë drejtë për së drejti”, ka deklaruar ish udhëheqësi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi.