Ikën mërgimtarët
U çova nga shtrati para mesnatës! S’me merrte gjumi, nga se kambët m’ishin ajë, tue ndejt i shtrimë tash e sa javë!
Ky haxhiu i Koliqit, që m’rrin në të djathtë, po lutej. Po falej apo vetëm knonte dovë e Zotit i kërkonte mëshirë, se kuptova!
S’i fola, se u tuta po ia prishi namazin e m’idhnohet!
U ktheva kah Ademi i Nekovcit. Ai e kishte vu maskën e oksigjenit dhe gërhiste.
Murseli, i biri, ende i rrinte të kambët e mundohej me kthye n’krah!
Shtroje spungjerin i thashë e shtrihu, se trupi s’të mbanë, ani se je i ri! Vetëm buzqëqeshi!
E hapa derën që pak t’ajrosemi, se vinte erë e thartë çorapësh e s’durohej! Ndoshta edhe erë p…. vinte! S’di, por fyma të nxihej!
Koridori ishte i zbrazët e përjashta, era pemët i lëvizte me rrëmbim!
Unë isha pak i djersitun!
E mora çarçafin e bardhë dhe e vuna n’krye e trupin e mbështolla! Ngadalë nisa me lëvizë. Po eci thashë, ani se kollitjet shpeshtoheshin. Edhe nji nanë lëshonte gjamë diku në nji dhomë!
Kur u ndala n’dritare, e hija ime para m’doli, vetja mu dukë si kufomë!
Gjoksi nisi me mu ngushtua. N’panikë thashë, ra oksigjeni dhe tue u dihatë si klyshi u ktheva n’shtrat!
Ket haxhiun plak, e kishte nxanë gjumi me tespih n’dorë, pa e krye siduket namazin!
Edhe Murseli ishte shtri të kambët e babës e fliste përgjumshëm. Sa mirë i thashë vetës me qenë i ri. N’gjumin e parë sheh andrra, tue luejtë livadheve me zanat e maleve!
Plafin ia vuna mbi shpatulla dhe u shtrina pa ba zhurmë!
Oh sa u gëzova, kur poshtë dritarës nisi me leh nji qen. Thashë, nuk qenkemi të gjithë të sëmur, as rrugës pa kthim. Nesër dikush dashka me dalë, e me iu kthye kangës e lavrës e blegërimës!
Por doktoresha Nazë heret na kontrolloi, e kurgja s’na tha!
As Vllaznimi as Thaqi. Vetëm gjak na mori n’damar, me pa sa asht zbritë apo rritë D-Dimeri!
Unë s’heshta. S’jam keq iu thashë, por m’tregoni si ta eleminoj oksigjenin, se mbramë pa maskë kam fjetë?
Mbaje oksigjenin e mos i mundo mushknitë e zemrën o poet tha dr Bahriu. Edhe trunit i duhet shumë, ani se ti po shkruen çdo ditë e s’po vërehet ke a po s’ke oksigjen!
Doktora, ma merrni gjakun për analiza e shiqoni çka po bani me mua u thashë, se shkoi maji e romani “Shoqalani” me mbeti përgjysë!
Sot s’po pres vizitorë nga mërgata, se ikën bashkë me bajramin! Mesën e rekuiziterit të Teatrit Krahinor Popullor, Zymer Statovcit po e pres, me ia dhanë “Kopilanin” se aty e ka dajën e vet!
Pulmologji, 17.05.2021
Shkruan Çun Lajçi