Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen të martën (18 maj) në Bruksel në darkën tradicionale që e organizon shefi i diplomacisë së BE-së. Këtë traditë e nisi ish-shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, me idenë që të mbledhë liderët nga rajoni në mënyrë që në një atmosferë më pak formale të diskutohet situata në rajon dhe marrëdhëniet me BE-në. Këtë vit, traditën e vazhdon Josep Borrelli.
“Ballkani Perëndimor është çështje gjeopolitike për BE-në. Rajoni është pjesë e problemit, por edhe pjesë e zgjidhjes. Për këtë arsye duhet ta shohim atë nga një këndvështrim gjeopolitik dhe këtë do ta bëjmë në një darkë në Bruksel, të cilën shpresoj të marrin pjesë të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, porositi Borrelli, raporton DW.
Një javë para darkës, shefat e diplomacive të BE-së në një takim në Bruksel mbajtën një debat gjeostrategjik mbi “angazhimin e zgjeruar të BE-së në Ballkanin Perëndimor”. Në Bruksel thonë se janë të vetëdijshëm për faktin se gjërat janë gjithnjë e më të ashpra në marrëdhëniet midis rajonit dhe Brukselit – si kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit ashtu edhe për politikën e jashtme.
“Ka shqetësime në BE për zhgënjimin në rritje në Ballkanin Perëndimor të shkaktuar nga ngërçi në procesin e zgjerimit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të konsiderojmë se si të rimarrim ndikimin e humbur në rajon”, thuhet nga burimet diplomatike evropiane.
Ky “zhgënjim” u përcaktua si “një ndjenjë e zhgënjimit të thellë të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor në procesin e pranimit në BE” në një dokument jozyrtar që doli përpara takimit të Këshillit të Ministrave. Jozyrtarisht, në Bruksel thonë se dokumenti i fundit “non-paper” për të ardhmen e rajonit, ishte i shkruar nga vetë Josep Borrelli.
Megjithëse ky dokument nuk mori vëmendje aq shumë sa paraardhësit e tij fantazmë që merreshin me zhvendosjen e kufijve, zgjidhjen e çështjes së Kosovës ose rregullimin e BeH-së, dokumenti “Angazhimi i Zgjeruar i BE-së në Ballkanin Perëndimor” vendosi të paktën udhëzimet aktuale të politikës së BE-së për rajonin.
Çka të pritet nga BE-ja?
Përveç frazave të njohura të “mbështetjes së qartë dhe të fortë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, “e ardhmja e rajonit në BE”, rëndësia e “stabilitetit dhe sigurisë së rajonit për stabilitetin dhe sigurinë e BE-së”, nevoja për “procese reformuese” dhe “bashkëpunim të mirë fqinjësor”, ky dokument shpreh qartë shkaqet e “pakënaqësisë së thellë dhe zhgënjimit” të rajonit ndaj politikës evropiane të zgjerimit.
Në tekst, sipas DW-së, shprehen pakënaqësitë rreth “mosvendosmërisë në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, përparimit të ngadaltë të Serbisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt BE-së, por gjithashtu në zbatimin e prioriteteve kryesore në BeH dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, pasigurisë në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, perceptimit të shtuar rreth vonesave të vaksinave nga BE-ja në rajon”.
Porosia kryesore e dokumentit është forcimi i pranisë evropiane në rajon, vizitat më të shpeshta të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe vendeve anëtare në rajon, ftesat më të shpeshta për përfaqësuesit e rajonit në Bruksel, diplomacia publike koherente dhe e artikuluar rreth BE-së në rajon, por edhe e rajonit drejt qytetarëve të BE-së.
“Kam kërkuar nga shtetet anëtare të japin propozime konkrete në këtë drejtim. Pres t’i shqyrtojmë ato para verës. Nuk do të presim dy vjet ose dy muaj tjerë”, porositi Borrelli.
Menyja gati, por a do të kenë oreks?
Nga ana tjetër, nga BeH-ja pritet (ende) të bëjë përparim në raport me 14 prioritetet kryesore të Komisionit Evropian, si dhe “përmirësimin e funksionimit të vendit, duke filluar me reformën zgjedhore dhe kushtetuese”. Nga Serbia dhe Mali i Zi (ende) pritet të përshpejtojnë procesin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, por edhe më shumë angazhim politik në konsolidimin e orientimit gjeopolitik, i cili më së shumti i referohet Serbisë.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, mesazhi është (përsëri) i njëjti: nuk ka ndarje të negociatave të pranimit të cilat duhet të fillojnë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të “përdorin momentin e mandateve të forta politike nga udhëheqësia nga të dy palët” për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin.
Të gjitha këto mesazhe do të jenë në “menynë” e darkës së gjashtë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku nuk duhet të priten ndryshime të mëdha. Për momentin, në radhë të parë, është ende çështje e “oreksit” të vendeve anëtare, nga të cilat (ende) pritet të tregojnë vullnetin e bashkuar politik të nevojshëm për përparimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.