Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nuk ka mbajtur premtimin që iu ka dhënë qytetarëve të Prizrenit gjatë kohës së fushatës zgjedhore në vitin 2017 për ndërtimin e 4 çerdheve publike.
Është dashur që të kalojnë katër vite në pushtet që Haskuka të arrijë të ndërtojë vetëm një çerdhe të tillë, e për të cilën vetë kreu i Prizrenit ka njoftuar se do të hapet më 1 qershor.
“Një lajm i mrekullueshëm për fëmijët tanë dhe prindërit e tyre!Pas një pune të gjatë, mundim e angazhim, nga dita e hënë fillon të funksionojë çerdhja e parë publike në Prizren “11 Marsi”!”, ka shkruar Haskuka në profilin e tij zyrtar.
Megjithatë para katër vitesh, Haskuka kishte pasur një premtim komplet tjetër, duke iu premtuar qytetarëve të Komunës prej nga vjen, se do të ndërtojë 4 çerdhe publike.
“Momentalisht nuk ka asnjë çerdhe publike në Prizren. Ka një kërkesë shumë të madhe për çerdhe publike. Dhe brenda mandatit 4 vjeçar kemi një katër të mëdhaja që do të kishin qenë në partneritet me komunitetin me kosto të përballueshme dhe kjo do të ngriste cilësinë në arsim”, kishte thënë Mytaher Haskuka në Rtv Dukagjini më 10 tetor të vitit 2017.
Haskuka lidhur me këtë çështje ishte pyetur edhe në vitin 2020. Ai kishte deklaruar se njëra ishte ndërtuar dhe se do të fillonte punën shpejtë, derisa kishte premtuar se deri në fundin e vitit 2021 do të përfundojë ndërtimi i dy të tjerave, njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël.
“Ne jemi duke investuar në çerdhe, një është e përfunduar tani dhe do të fillojë punën e saj. Është dashur të fillojë këtyre ditëve, konkurset janë përfunduar, është përzgjedhur stafi, çerdhja është më e madhja në Kosovë. Sipas kontratës që e kemi pasur me kompaninë është dashur 38 muaj për përfundimin e punëve dhe ne e kemi përfunduar për 24 muaj. Ne e kemi edhe një çerdhe publike e cila është në shfrytëzim të një OJQ-je, një tjetër është duke u ndërtuar, një tjetër do të fillojë tash që është më e vogël. Deri në fund të vitit të ardhshëm do të përfundojnë”, kishte deklaruar Haskuka në Kallxo.com më 13 tetor 2020.
Në tetorin e këtij viti pritet organizimi i zgjedhjeve të reja lokale. Ende nuk dihet nëse Mytaher Haskuka do të jetë përsëri kandidat i VV’së për kreun e Prizrenit.