Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se opinioni publik e njeh shumë mirë qëndrimin kundër UÇK-së që ka shprehur vazhdimisht kryediplomatja kosovare.
Në një komunikatë në Facebook, ky subjekt politik ka thënë se qëndrimet personale të çdo individi hyjnë në kuadër të të drejtave të njeriut për të shprehur lirshëm mendimin e vet.
“Mirëpo, kur një person që vazhdimisht ka vjellë vrerë kundër luftës çlirimtare dhe bartësve të kësaj lufte merr funksion shtetëror për të përfaqësuar Kosovën në marrëdhënie me jashtë, gjërat ndryshojnë.”
“Ky person paraprakisht do të duhej të merrte angazhimin publik që qëndrimet e veta t’i mbyllte në sirtarin e vet privat.
Fatkeqësisht ndodhi e kundërta: Qëndrimet e saja personale i ka shndërruar në politika qeveritare. Prandaj kërkojmë shkarkimin e saj nga funksioni i ministres së Punëve të Jashtme”, thuhet në komunikatë.
“Nëse Qeveria Kurti nuk e shkarkon Donika Gërvalla Shwarz nga funksioni i ministres së Jashtme të Kosovës, atëherë bëhet e qartë se politika anti-UÇK është politikë zyrtare e kësaj qeverie”, përfundon komunikata e Nismës Socialdemokrate.