Pak pas deklaratës së Lulzim Bashës, i cili i quajti sërish masakër elektorale zgjedhjet e fundit, ka reaguar Edi Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri shqiptar përsëriti edhe njëherë tjetër se ftesa për bashkëpunim mbetet e hapur, ndërsa theksoi se në mandatin e tretë mazhoranca do ta ketë fokusin te ngjitja e Shqipërisë në majë, jo tek opozita.
“Humbësit fokusohen te fituesit. Fituesit fokusohen te fitorja! Mandati ynë i tretë nuk do t’u ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!”.
“Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët!Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!”./ A2 CNN