Vezir Berisha, që ushtron edhe detyrën e shoferit, në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, e cila mbulon tre komuna, u shpreh i zhgënjyer me kushtet në të cilat punojnë, duke thënë se janë pak persona në staf dhe se ka shumë punë. Ai deklaroi se shumë shpesh ofendohen nga qytetarët që nuk e dinë realitetin e mundësisë së punës së tyre.
“Kushtet janë të mjerueshme ose të këqija ku punojmë ne. Prapë ne jemi më mirë në krahasim me komunat tjera. Së pari stafi është shumë i vogël, jemi 8 punëtore në këtë bazë që është shumë pak për 3 rajonet që i mbulojmë. Në komuna tjera ndodh që janë nga 2-3 zjarrfikës, pra shoferi dhe dy zjarrfikës”, tha Berisha, për Klan Kosova.
“Jemi bërë si lypsarë. Kushdo që vjen thotë “paga-paga” por askush nuk merret me neve. Tash kur krejt kanë marrë shtesa, neve na hoqën pakon e fundit”.
“Është turp që një zjarrfikës që i ka 40 vjet përvojë pune mos të ketë asnjë rrogë jubilare, as për festa as për orë shtesë e as për ndërrime të natës – me ligj na takon por nuk na japin. Me pagan na kanë barazuar me pastrues e punëtorë sigurimi, e kur kërkohet punë nga ne na quajnë heronj. Mos na jepni fjalë kot. Na e kanë humbur edhe moralin e punës dhe të jetës në këtë aspekt”, përfundoi Berisha, i cili e vuri në pah se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë intervenuar në mbi 1 mijë e 300 raste.