Katër pacientë në një qendër për persona me nevoja të veçanta janë vrarë dhe një tjetër është lënduar seriozisht në atë që policia e përshkroi si sulm ekstremisht të dhunshëm.
Një grua 51-vjeçare, që mendohet se është anëtare e stafit në klinikën “Oberlin” në Potsdam, afër Berlinit, është arrestuar nën dyshimin e fortë për kryerjen e këtij sulmi të mërkurën në mbrëmje, shkruan Daily Mail.
Policia tha se të gjitha viktimat kishin shenja të ashpra të përdorimit të dhunës së jashtme dhe u gjetën në dhoma të ndryshme të qendrës së kujdesit, por nuk dha hollësitë të tjera.
Autoritetet thanë se gruaja e arrestuar dyshohet për vrasje të qëllimshme, por ende nuk dihet motivi i sulmit.
Mendohet se sulmi ndodhi në katin më të lartë të ndërtesës që shërben si konvikt. Mediet lokale e cilësuan rastin si vrasjen më serioze në Potsdam në dekadat e fundit.
Sipas faqes së kësaj qendre të kujdesit në internet, aty punojnë mbi 400 persona, përfshirë 80 punëtorë në konvikt.