Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar vendimin që u morr në Komisionin për Ekonomi për ndarjen e 11 milionë eurove për të paguar rrymën e papaguar në veri të Kosovës.
Molliqaj në statusin e tij në Facebook ka kujtuar kohën kur kryeministri Albin Kurti e kritikonte këtë vendim të marrë nga qeveritë e kaluara ndërsa po ashtu thotë se kjo qeveri po shkon drejt rrugës së qeverie të kaluara.
“”Krejt dhe Drejt” si të çdo qeveri e mëparshme. Kurti është dorëzuar ende pa nisur. U proklamua ndryshim i madh. Prapa fasadës së këtij ndryshimi populist po qëndron i njëjti avaz i vjetër; shumicës po i faturohet në kurriz fatura e pakicës. Pabarazia nuk po sfidohet; veç ka gjetur artikulim të ri që e fsheh veten mjeshtërisht”, shkruan ai.
“Në Komisionin për Ekonomi, Vetëvendosje votoi për ndarjen buxhetore prej 11 milion eurove për të paguar rrymën e papaguar në veri të Kosovës. Këtë dikur Kurti e konsideronte si padrejtë si. Sot vazhdon nën udhëheqjen e tij. Një qasje e tillë është e padrejtë. Pagesa e rrymës për qytetarët në veri po paguhet nga taksat e qytetarëve që jetojnë dyfish më keq sesa qytetarët në veri. Fillimisht, Vetëvendosje ishte plotësisht kundër pagesës së rrymës për veriun në fjalë. Ndërkohë, me veprimet e tyre, të dyja qeverisjet e VV-së e vazhduan avazin e njëjtë të qeverive të kaluara duke ofruar të paguajnë atë që qytetarët në veri nuk e bëjnë”, shtoi ai.