Janë 11 kandidatë që i kanë hyrë garës për t’u bërë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese pasiqë të kryetares së tanishme të këtij institucioni, Arta Rama-Hajrizit, i përfundon mandati në Qershor të këtij viti. Në mesin e kandidatëve ka gjyqtar të Gjykatës Supreme, prokurorë, profesor e juristë, të cilët synojnë të bëhen pjesë e organit që interpreton Kushtetutën e Kosovës.
Në listën e publikuar nga Kuvendi janë gjithsejtë 11 kandidatë që kanë aplikuar për t’a zëvendësuar gjyqtaren Arta-Rama Hajrizin, që aktualisht është kryetare e Kushtetueses, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi janë kandidatët që po përpiqen të bëhen pjesë e Kushtetueses.
Gazeta Online “Reporteri.net” deri më tani ka arritur të komunikojë me 6 nga 11 kandidatët që janë në garë, për t’i pyetur se çfarë i ka shtyrë të aplikojnë dhe nëse besojnë në garë të drejtë e të pandikuar politikisht.
Për Shukri Sylejmanin, që është gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është hera e parë që po i nënshtrohet kandidimit për t’u bërë gjyqtar në Kushtetuese.
Sylejmani ka thënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se është duke u përgatitur për provimin me shkrim e gojë që do t’i nënshtrohet gjatë fazave të vlerësimit.
“Unë pres ftesën për intervistë. Kam qenë i përgatitur dhe jamë duke u përgatitur. Pres garë korrekte, besoj që gjithçka do të shkoj në mënyrë korrekte. Kam një fije shprese, një fije optizmi. Megjithatë, nese nuk zgjedhem, i shumë sukses kandidatit që zgjidhet”, ka thënë Sylejmani.
E përgatitjet është duke i vazhduar edhe Zef Prenrecaj, prokuror i Themelores në Prishtinë.
“Besoj që pjesërisht jam i përgatitur rreth pyetjeve që mund të jenë në test, qoftë me shkrim qoftë me gojë. Por për shkak të përvojës së gjatë që kamë në sistemin e drejtësisë, unë mendoj se ato pyetje që mund të jenë, natyrisht duhet ose supozohet se do të duhej t’i dij në momentin që paraqitem për intervistë. Pse jo, mendoj se edhe duhet të përgatitem, një rifreskim të dijes në vazhdimësi rreth provimit qoftë me gojë qoftë me shkrim”, tha Prenrecaj për Reporteri.net.
Por, Prenrecaj, që ka kandiduar edhe më parë, thotë se e ka ëndërr të jetë pjesë e Gjykatës Kushtetuese në cilësinë e gjyqtarit.
Tutje, prokurori i shtetit vlerëson se i plotëson kushtet për të qenë gjyqtar në Kushtetuese në të cilin institucion thotë se do të kontribuonte në respektimin e të drejtave të njeriut.
“Unë besoj se i plotësoj kriteret dhe besoj se me njohuritë dhe dijen që kam, qoftë në fushën penale, civile, administrative dhe kushtetuese, sidomos në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të jem njëri nga kandidatët e mundshëm të përzgjedhem si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjithmonë ka qenë një ëndërr edhe nëse nuk zgjedhem kësaj radhe, unë do të provoj në vazhdimësi deri atëherë kur do të arrij të zgjedhem”, tha Prenrecaj.
Edhe Sylejmani thotë se beson që i plotëson kriteret duke shtuar se aplikoi për ta ndryshuar traditën e përzgjedhjes së gjyqtarëve vetëm nga bota akademike e jo nga praktika gjyqësore.
I pyetur nëse beson se procesi do të jetë i pandikuar politikisht, Sylejmani deklaroi se ai është apartiak dhe se vota për të nënkupton ndryshim.
“Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese e propozon Kuvendi. Na e dimë që Kuvendin e përbëjnë subjektet politike. Nëse ju përmbahen përkatësisë politike, unë jam apartiak. Unë vi nga gjyqësori, nuk kam lidhje me atë punë. Në qoftëse e dojnë shtetin, dojnë me bo ndryshimin, për ndryshim jam unë. Në qoftëse nuk dojnë asnjë lloj ndryshimi, i kanë pas 9 profesorë të Fakultetit Juridik, prap e bëjnë të nëntin, nuk e prishin. Ajo nuk është në dorën time. E jemja është me apliku, me u përgatitë, me u mundu me pasë përformancë të mirë. Në intervistë me dëshmu praktikën time, që unë di me gjyku”, tha Sylejmani për Reporteri.net.
Në korrektësinë e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarit të Kushtetueses thotë se beson edhe prokurori Prenrecaj.
“Unë kam besu dhe besoj që procesi është korrekt. Po të mos kisha besu, nuk do të kandidoja. Por, nuk e di, besoj se do të duhej të ishte korrekt. Besoj është koha e fundit që meritokracia të shkoj në vend dhe ai që e meriton të zgjedhet, ai që i plotëson kriteret e kushtet dhe ai që e kryen funksionin ashtu siç duhet”, shtoi Prenrecaj për Reporteri.net.
Ndërkaq, Hava Bujupaj-Ismajli, që është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës e kandidate edhe në thirrjet e mëparshme për gjyqtar të Kushtetueses, shpreson që procesi i përzgjedhjes së anëtarit të Kushtetueses të jetë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.
“Sa i përketë procesit nuk mund të flas, meqë konsideroj që është në kundërshtim me etikën morale dhe profesionale! Unë shpresoj që procesi për përzgjedhje të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë në pajtim me dispozitat e Kushtetutes dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kjo për faktin që respektimi i dispozitave kushtetuese dhe atyre ligjore është jo vetëm në interes të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në interes të Kosovës!”, tha Bujupaj-Ismajli për Reporteri.net.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kontaktuar me Visar Morinën, Hilmi Jasharin e Vigan Qorrollin, por të cilët nuk e kanë parë të arsyeshme të flasin rreth kësaj teme deri në përzgjedhjen e gjyqtarit të Kushtetueses.
Kujtojmë që Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton themelimin e Komisionit të Posaçëm, i cili udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij dhe i cili i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.
Ndonëse Reporteri.net ka 3 ditë që ka dërguar pyetje në adresë të Kuvendit rreth përbërjes së Komisionit të posaçëm, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
E emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.