Organizata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë përmes një komunikate për media i ka bërë thirrje qeverisë së re e cila do të zgjidhet pas 6 tetorit, që çështja e të pagjeturve të jetë çelës në bisedimet me Serbinë.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, duke marrë parasysh se Shoqata “Thirrjet e Nënave” është organizatë jopolitike dhe familjarët që kërkojnë më të dashurit e tyre nuk e kanë synim politikën por si mision të përbashkët human e kemi angazhimin tonë rreth zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Duke u bazuar në këtë shtyllë dhe sakrificën tonë, kam nderin që përmes kësaj konference për shtyp të adresoj kërkesat e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” dhe të familjarëve të më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen, vranë dhe zhdukën nga forcat kriminale serbë në luftën e vitit 1998/99”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës për media, gjatë dy dekadave përpjekje, angazhim, aktivitet, protesta, greva, konferenca kombëtare e ndërkombëtare, kanë arritur të gjejnë trupat e shumicës së personave të zhdukur, por thonë se kanë ende familjarë që i presin.
“Gjithashtu dua të ju bëj me dije se për shkak të angazhimit tim si kryetare e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” dhe nënë e Albionit, si kundërpërgjigje dhe hakmarrje ndaj meje, Serbia është duke mbajtur peng trupin e birit tim”, thuhet tutje në njoftim.
Ato tutje kanë adresuar disa kërkesa drejt institucioneve të reja të cilat do të dalin pas 6 tetorit.
“Duke dërguar mesazhin tonë tek të gjithë ata që do të zgjidhen nëpër institucionet e reja të qeverisjes qendrore, ua adresoj këto kërkesa:
Si veprimtare dhe humaniste, kërkoj të jem pjesë aktive e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, punë të cilën e kam kryer me shumë përgjegjësi disa vite më parë
Kërkoj të jem pjesë e delegacionit në bisedime me Serbinë, në Bruksel, me gjithë bagazhin tim, me fakte e dëshmi për të gjitha krimet që i ka bërë Serbia në familjet tona dhe në mbarë Kosovën
Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë të mos merr pjesë në asnjë lloj dialogu me Serbinë, para se të zbatohet deklarata e Samitit të Londrës
Çështja e të zhdukurve duhet të jetë çelës për bisedime me Serbinë
Të zbatohet Konventa e Gjenevës
Të kërkohet nga të gjitha qeveritë të japin shënime për personat e zhdukur
Kërkojmë që para dialogut, Kosovë-Serbi, t’i imponohet Beogradit të sjellë shënime duke hapur arkivat ushtarake e policore, pasi vet ata kanë dhënë urdhra për vrasjen e bijave e bijve tanë
Kriminelëve serbë t’u ngritën aktakuza me fakte, të gjykohen e dënohen qoftë edhe në mungesë.
“Duke shpresuar se të gjitha këto kërkesa do të shqyrtohen seriozisht dhe do të realizohen në afat sa më të shkurtër, atëherë edhe liria do ta ketë kuptimin e plotë dhe Kosova si shtet i barabartë i të gjithë qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë.