Gjenerali, njëherësh njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka komentuar veprimin e disa javëve më parë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb.
Qehaja për gazetën “Bota sot”, ka thënë se provokimet e presidentit serb do të intensifikohen.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë për një ndërhyrje të Serbisë në veri të Kosovës.
“Serbia do të vijojë të provokojë Kosovën në forma të ndryshme. Madje, vlerësoj se provokimet nga Vuçiq dhe strukturat serbe do të intensifikohen. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia mund të bëjë ndonjë lëvizje të forcave në veri të vendit, qoftë edhe në forma simbolike, duke krijuar rrethana të reja për realizimin e qëllimeve destruktive”, ka deklaruar eksperti i sigurisë.
Ai për këtë ka kërkuar vigjilencë nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria Kurti duhet të jetë tejet vigjilente në muajt e ardhshëm dhe për këtë lypset bashkë-rendimi me aleatët”, ka thënë Ramadan Qehaja.
Ai ka vlerësuar se Kosova po kalon nëpër sfida të rënda të sigurisë.
“Vlerësoj se përderisa kemi një stabilizim të përgjithshëm të situatës së sigurisë në aspektin politik dhe atë klasik të sigurisë, jemi duke kaluar nëpër sfida të rënda, të cilat medoemos rritin nivelin e pasigurisë individuale e shoqërore. Këto sfida, kryesisht ndërlidhen me goditjen që kemi pësuar nga pandemia, numri i lartë i vdekjeve dhe pasojave strategjike shëndetësore për popullatën. Kur e gjithë kjo kombinohet me një përkeqësim të situatës ekonomike dhe rritjes edhe më të madhe të papunësisë, atëherë niveli i pasigurisë sa vjen e rritet”, ka shtuar gjenerali Qehaja.