Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur Gjakovën për të mbajtur tubimin përmbyllës të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Haradinaj fjalën e mori duke treguar një rrëfim, njofton Klan Kosova.
“A po shkon bre bir me dalë deri kah Gjakova dhe të marrim vesh qysh i kemi punët sepse ata e dinë dhe na kallxojnë edhe neve. Po më duket që krejt Kosova e ka marrë vesh sepse ju e dini si i kemi punët?. Sa herë ka zgjedhur Gjakova i ka ra mirë edhe shqiptarëve kudo”.
“Nuk ka dikush në Kosovë që nuk e di se Gjakova e ka zgjedhur koalicionin 100 për qind shtet. Për këtë s’ka dilemë askush, s’ka qytet tjetër që është rreshtuar kaq fuqishëm me 119. Kjo është një porosi e mirë për krejt Kosovën”.
“Kemi dy detyra si qeveri, si më e fuqishmja që ka me dalë prej zgjedhjeve, pra të fuqizohet mbrojta dhe siguria. Në këto punë kemi bërë planin qeverisës. Dhe për planin e sigurisë kam qejf të flas në Gjakovë. Ushtria jonë edhe pse është më e reja dhe më moderne në Ballkan, nuk po them në botë por do të bëhet më e mira në kontinentin tonë”.