Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit më 6 tetor për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Qytetarët të cilët kanë të drejtë vote janë ata të cilët kanë mbushur 18 vjet dhe që janë të pajisur me njërin nga dokumentet e vlefshme të Republikës së Kosovës. Por jo të gjithë qytetarët me drejtë vote do të munden të votojnë në zgjedhje. Ata qytetarë që kanë letërnjoftim të UNMIK-ut nuk do të mund të votojnë në zgjedhje dhe këtë e ka konfirmuar për Express edhe KQZ-ja sipas udhëzimit që kjo e fundit ka nxjerrë me datë 9 shtator 2019, shkruan Gazeta Express.
Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se janë 118 mijë e 942 persona me letërnjoftim të UNMIK-ut të cilët nuk janë pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës e që përfshinë në masë të madhe komunitetin serb në Kosovë.
“Gjithsej janë 118942 letërnjoftime të UNMIK-ut të cilët nuk kanë marr LNJ të RKS-së”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Lista Serbe që garon në zgjedhjet e 6 tetorit, më 9 shtator 2019 ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) apelin kundër udhëzimit të KQZ-së që udhëzon KKZ-të dhe KVV-të që në ditën e votimit të pranojë dokumente për identifikimin e votuesve në vendvotim siç është përcaktuar me ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Udhëzimi i KQZ-së ka të bëjë me votuesit në territorin e Republikës së Kosovës të cilët do të mund të votojnë vetëm me letërnjoftim të vlefshëm, pasaportë të vlefshme, dokumente të vlefshëm të udhëtimit, leje e vozitjes e vlefshme e Republikës së Kosovës.
Apelin që Lista Serbe e ka dërguar në PZAP është refuzuar nga ky panel si i pabazuar duke e vlerësuar se vendimmarrja e KQZ-së është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se i njëjti është marrë me zbatim të drejtë, të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Po ashtu PZAP-ja në vendimin e tij arsyeton udhëzimin e nxjerrë nga KQZ-ja.
Ndër të tjera në vendimin e PZAP-së për refuzimin e apelit të Listës Serbe thuhet:
“Nuk qëndron pretendimi i parashtruesi të apelit, se udhëzimi i apeluar është diskriminues për komunitetin serb pasi që siç është theksuar më lart, ky udhëzim i referohet identifikimit të votuesit, pa dallim të komunitetit, etnisë, gjinisë etj, por udhëzimi i apeluar i referohet të gjithë votuesve të Republikës së Kosovës dhe mund të ketë ndikim te secili votues në ditën e votimit të cilët nuk prezantojnë ndonjërin nga dokumentet e listuar në udhëzimin e apeluar”.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Express se në zgjedhje nuk do të mund të votohet me letërnjoftim të UNMIK-ut por vetëm me dokumente të vlefshme të Republikës së Kosovës.
“Ashtu siç kemi njoftuar deri më tani, për të votuar më 6 tetor votuesi mund të identifikohet në vendvotim me ndonjërin nga këto katër dokumente të vlefshme të Republikës së Kosovës: letërnjoftim i vlefshëm; pasaportë e vlefshme; dokument i vlefshëm i udhëtimit dhe leje e vozitjes e vlefshme”, ka thënë Elezi.