Një ekspert i përdorimit të forcës deklaroi në një gjykatë të ShBA-së se ish-polici i akuzuar për vrasjen e George Floyd-it është justifikuar për rrëzimin e tij në tokë.
Barry Brodd tha në seancën në Minnesota që polici Derek Chauvin veproi me “arsyeshmëri objektive”, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Lexo Edhe:
“Atentati ndaj Mbretit Zog pjesë e një komploti të organizuar nga refugjatët shqiptarë në Jugosllavi”/ Shtypi botëror për ngjarjen në Vjenë më 20 shkurt 1931
Chauvin është duke u gjykuar pasi ia mbajti për disa minuta gjurin mbi qafë Floyd-it gjatë arrestimit në maj të vitit të kaluar. Ish-polici e ka mohuar akuzën për vrasje.
Ish-polici, ekspert i përdorimit të forcës, Brodd tha në gjykatë se kërcënimi i menjëhershëm që u paraqit nga Floyd-i ishte një faktor i rëndësishëm në arrestimin e tij.
“Ndiej se Derek Chauvin është justifikuar dhe ka vepruar me arsyeshmëri objektive pas politikave të departamentit të policisë në Minneapolis dhe standardeve aktuale të sundimit të ligjit në ndërveprimin e tij me George Floyd”, deklaroi eksperti.
“Nga këndvështrimi i një oficeri të policisë, nuk duhet të prisni që ajo të ndodhë. Thjesht duhet të keni një frikë të arsyeshme se dikush do t’ju godasë, do t’ju therë, do t’ju qëllojë me armë”, shtoi ai.
“Është lehtë të uleni në zyrë dhe ta gjykoni sjelljen e një oficeri. Është më shumë sfidë që ta vendosni veten në vendin e oficerit, të përpiqeni që të bëni një vlerësim përmes asaj që ata janë duke ndier, përmes frikës që e kanë dhe më pas të bëni një përcaktim”, tha më tej Brodd.
Ai gjithashtu tha se grumbulli i njerëzve që ishin përreth policit që po e arrestonte Floyd-in paraqiste një kërcënim të panjohur dhe ia tërhoqi vëmendjen policit nga personi që e kishte shtrirë në tokë.