Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të njoftojë se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator.
Kështu kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë për media, derisa Joe Biden pritet ta bëjë njoftimin vetë të mërkurën.
SHBA-ja do ta humbasë afatin e muajit maj për tërheqjen e rënë dakord me talibanët nga administrata Trump vitin e kaluar, transmeton Klan Kosova.
Afati i ri do të përkojë me 20 vjetorin e sulmeve terroriste në Qendrën Tregtare Botërore (World Trade Center) dhe Pentagon në SHBA në vitin 2001.
Biden kishte thënë më herët se afati i 1 majit do të ishte i vështirë për t’u përmbushur.
Zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s kanë thënë se talibanët deri më tani nuk kanë arritur të përmbushin zotimet për të ulur dhunën.
Ata ishin paralajmëruar se nëse sulmojnë trupat amerikane gjatë fazës së tërheqjes “do të përballen me një kundërpërgjigje të fuqishme”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës i cili po informonte gazetarët mbi vendimin.