Rabit Konjufca, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes dhe axha i kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, ka dosje në polici për shkak të djegies së nje depoje me teknikë të bardhë në fshatin Llugaxhi të Lipjanit. Sipas ankuesit, vlera e dëmit kishte arritur rreth 15 mijë euro.
Rabit Konjufca u bë i njohur për publikun, kur ai u emërua këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Express ka mësuar se në Polici para dy vitesh është raportuar për një incident zjarri, i dyshuar ishte Rabit Konjufca. Kundër Konjufcës së vjetër ishte ngritur edhe kallëzim penal.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë në Prishtinë, teksa kanë dhënë detaje se zjarrvënia kishte ndodhur në vitin 2019 dhe sipas hetimeve të para dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga pakujdesia.
Reklamë
“Me datën 10/03/2019 rreth orës 17:00, Stacioni Policor në Lipjan është njoftuar për një incident zjarri në fshatin Llugaxhi. Palës së dëmtuar A.K., të këtij rasti , i është djegur një pjesë e depos (me teknikë të bardhë e importuar nga jashtë, e përdorur). Në vendin e ngjarjes kishin dalë edhe njësia e zjarrfikësve që kanë lokalizuar zjarrin. Sipas palës ankuese, vlera e dëmit ishte diku rreth 15.000 €. Bazuar në hetimet dhe ekzaminimet në vendin e ngjarjes, dyshohet se zjarrin ishte shkaktuar nga pakujdesia nga i dyshuari R. K. Rasti është referuar në Prokurori Themelore në Prishtinë, me Kallëzim Penal kundër me datë 19/03/2019”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Express.
Gazeta Express ka provuar të marrë një koment edhe nga Rabit Konjufca, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon, më pas ka telefonuar në redaksi dhe ka kërkuar që të gazeta të mos “merret me këto gjëra”.
Ai ka thënë që më mirë është të lihet kjo punë pasi shprehet se “është tolerant, por më pas është shumë i keq”.
“Jam Rabit Konjufca, në këtë numër me keni thirrë por kam qenë i zënë…A Expressi jeni a, lene mos boni hajgare e keni tepru, mos ja nxjerrni funin me. Lene more mos u merrni me këto gjëra, ku po jetoni more ju, jeni ka e keqpërdorni çdo gjë. Unë kam familje, kam fëmijë…”, është shprehur Konjufca.
Tutje, ai tha se për këtë rast nuk ka asnjë qëndrim.
“S’ka qëndrim, mos ja nxjerrni fundin krejt, mos e teproni. Unë jam shumë tolerant por pastaj jam shumë i keq. Ju lutem, mosni, lereni”, përfundoi ai.
Gazeta Express ka informacione se procesi gjyqësor ndaj Rabit Konjufcës ka përfundur, por një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar akoma Gjykata Themelore e Prishtinës.
Nga Gjykata kanë thënë se do të përgjigjen ditëve në vijim.