Që nga dita e sotme myslimanët anë e mbanë botës kanë filluar muajin e shenjtë të Ramazanit.
Përgjatë 30 ditëve besimtarët do të agjërojnë, që nënkupton se ata mund të hanë vetëm dy vakte në ditë, një para lindjes së diellit (syfyr) dhe tjetra pas perëndimit të diellit (iftar).
Nga syfyri në iftar ata nuk kanë të drejtë të hanë e as të pinë asgjë.
Më poshtë gjeni disa gjëra që nuk e prishin agjërimin.
Të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale me harresë.
Të vjellët pa provokim:
Futja e pluhurit, grimcave të rërës apo e ndonjë insekti pa dashje në stomak, gjithashtu në këtë logjikë futet edhe mbajtja e ndonjë sendi në gojë, si laps, gomë apo ndonjë gjë tjetër, por me kusht që të mos ketë shije, ngjyrë apo erë që arrin në fyt.
Përdorimi i gjilpërave jo-ushqyese për trupin, të cilat vendosen në damar ose në mish: Kjo gjë nuk e prish agjërimin për arsye sepse nuk konsiderohet si ushqyes për trupin. Në këtë pjesë si shembull mund të përmendim kurimin me ilaçe mbi plagë të ndryshme, edhe në qoftë se ilaçi arrin të depërtojë në brendësi të trupit. Nuk duhet harruar se transfuzioni i gjakut dhe serumi e prishin agjërimin, pasi janë ushqyese për trupin e njeriut.
Përcjellja e pështymës ose e ushqimit që ndodhet ndërmjet dhëmbëve, nëse është shumë pak.
Futja e ujit në gojë, me kusht që të mos shkojë në fyt. Lejohet gjithashtu edhe larja e trupit për freskim.
Puthja e gruas, prekja, përqafimi. Kjo vlen për ato raste kur njeriu e kontrollon veten.
Ai që ha, pi ose bën diçka tjetër nga ato gjëra që e prishin agjërimin me mendimin se akoma nuk ka filluar dita e agjërimit. Ky person nuk e ka prishur agjërimin, pasi origjina është vazhdimi i natës dhe dyshimi i tij nuk merret në konsideratë.
Provimi i shijes së ushqimit me majën e gjuhës nuk e prish atë.
Larja e dhëmbëve, me kusht që pasta e dhëmbëve mos ta kalojë fytin.
Shkulja e dhëmbëve ose kurimi i tyre, në qoftë se lëndët e përdorura nga mjeku nuk arrijnë në fyt.