Presidentja Vjosa Osmani e ka takuar sot kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, personin që e bëri president.
“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka shkruar Osmani.
Tutje Osmani ka shkruar se e ka siguruar Abdixhikun që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të vecantë për temat e interesit kombëtar.
“Në këtë drejtim, mirëpres kontributin e të gjitha partive politike opozitare për çështjet që lidhen me interesin shtetëror dhe mirëqenien e qytetarëve. Me z. Abdixhiku u pajtuam që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, ka shkruar në fund Osmani.