Autor:Artan Behrami
Pozita ndërkombëtare e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, asnjëherë nuk ka qenë më e rëndë, më e paqartë dhe më e paparashikueshme.
Kosova e izoluar, pa perspektivë të qartë euroatlantike, me shtetësi të papërfunduar, me Gjykatën Speciale mbi kokë, me një Rusi dhe Kinë të fuqizuar, me partnerë ndërkombëtarë të përçarë, po e kërkon vendin e saj në rendin e ri botëror para dhe post – pandemik.
Në 20 vjetët e fundit kemi operuar në politikën e jashtme bazuar në skripten e Perëndimit – një manual dhe udhërrëfyes i shenjtë, rreth të cilit e kemi lidhur besën!
Edhe më tutje, vazhdojmë ta udhëheqim politikën e jashtme me urtësi biblike – një princip, të cilin krijuesit e saj, Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini e kanë braktisur shumë, shumë, kohë më parë.
Kur krejt bota i është rikthyer kufijve nacionalë, Kosova si fortesa e fundit e Perëndimit, e ka të vështirë ta pozicionojë vetën në sistemin ndërkombëtar përmes narracionit si populli më proevropian, properëndimor dhe proamerikan në botë!
Dikur ky ishte ari, nafta dhe arma e Kosovës përballë një rajoni të ndikuar nga Rusia, Kina dhe fuqitë e tjera rajonale. Sot, dy dekada më vonë, ky lojalitet yni nga shumica e shteteve të Perëndimit shihet si naivitet, një mballomë për ta açikuar Kosovën si “parashtet” nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor!
Çdo diplomat që dëshiron të përjetojë adrenalinë të dominimit mbi të tjerët – e zgjedh Kosovën për të shërbyer! Një Kosovë ku qeni i ambasadorit amerikan është më i famshëm sesa kolegët e tij ambasadorë që shërbejnë në Berlin, Paris apo Bruksel.
Heaven!
Shumica e kabllove diplomatike të ambasadorëve perëndimorë për Kosovën janë të mbushura përplot me stereotipe dhe paragjykime. Ato që kanë rrjedhë në publik janë vetëm një parashije e asaj që fshihet brenda këtyre kabllove! Për këtë do të jenë dëshmitare gjeneratat e ardhshme, kur të gjurmojnë nëpër arkivat e aleatëve të Kosovës.
Perëndimi, fatkeqësisht, gjithmonë e ka krijuar narracionin për Kosovën sesi ata dëshirojnë të na shohin neve, por jo qysh Kosova është në të vërtetë.
Ndonëse Kosova ka qenë dhe mbetet shteti më pak i korruptuar në Ballkan, Perëndimi e ka krijuar perceptimin në botë se ne jemi vrima e zezë e rajonit dhe Evropës!
Ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, Perëndimi krijon me dhjetëra pengesa për t’u siguruar që Kosova të mbetet gjithmonë me gjithçka e fundit në rajon.
Ndonëse Kosova ka politikën e jashtme më të përmbajtur, gati të nënshtruar në Ballkan, Perëndimi neve na ka shpërfaqur si kërthizën e të gjitha mospajtimeve diplomatike.
Ndonëse kosovarët janë viktima klasike të luftës, Perëndimi këto ditë krijon narracionin se ne jemi nxitësit e të gjitha luftërave, masakrave dhe dëbimeve në Ballkan.
Pas 22 vjetëve të proceseve gjyqësore të njëpasnjëshme kundër luftë sonë, Perëndimi i shekullit 21 dëshiron ta rishkruajë edhe historinë e Perëndimit të shekullit 20.
Thua ti, frigoriferët me mbetje mortore nuk janë gjetur në Danub, por në ndonjë lum të Kosovës!
E nisur si një gjykatë me standarde ndërkombëtare, ajo gjatë rrugës pësoi mutacion, duke u shndërruar në gjykatën më ‘sui generis’ që ndonjëherë ka prodhuar njerëzimi.
Gjykata Speciale është tregues se ky qëndrim symbyllazi i Perëndimit po e dëmton Kosovën.
Nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 2021 konsiderohet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, si është e mundur që në 1998 – 1999, NATO-ja dhe Perëndimi ishin në koordinim të plotë me udhëheqësit që sot po mbahen në Hagë!
Perëndimi i ditëve të sotme, si asnjëherë më parë, nuk ekziston ashtu qysh ne e kemi përfytyruar, qysh ne jemi mësuar dhe rritur më të.
Perëndimi gjithmonë ka pasur divergjenca, edhe më 1999 kur u çliruam, edhe më 2008 kur u pavarësuam, por betejat në shumicën e rasteve janë zhvilluar në oborrin e tyre euroatlantik!
Tani kur Perëndimi nuk është më imun ndaj vaksinës ruse “Sputnik” dhe asaj kineze “Sinovac”, konsensusi brenda aleatëve strategjikë të Kosovës për tema të mëdha gjeopolitike është thjesht një utopi.
Në Gjermani, ku nën tokë u kalon gazi rus, deri sa mbi tokë janë ende të vendosura bazat ushtarake amerikane, animi nga njëra anë do t’i thyente edhe rregullat e fizikës, lëre më balancat politike dhe ekonomike.
Në Francë, ku Putini gëzon 50% të popullaritetit, vështirë të rikthehen ditët e Shirakut dhe të Sarkozisë.
Një RESET i politikës së jashtme
Tani kemi ardhur në një pikëpërmbysje, ku politika e jashtme e Kosovës duhet të rishikohet në një botë gjithnjë në lëvizje. Bashkë me të duhet të ridefinohet bashkëpunimi më miqtë ndërkombëtarë, pa e rrezikuar asnjë sekondë orientimin tonë properëndimor.
Tani duhet ta krijojmë skripten tonë të politikës së jashtme, e cila duhet të reflektojë shpirtin euroatlantik, por që në thelb duhet të ketë interesat politike, të sigurisë dhe të ekonomisë së Kosovës.
Ndonëse politika e shantazhit është shndërruar në realpolitikë në Bashkimin Evropian, Kosova nuk duhet të ndjek shembullin e Serbisë, e cila i bënë bulizëm të përditshëm BE-së përmes kartës së Putinit.
Ne duhet ta ruajmë orientimin tonë euroatlantik, por jo mbi parimin e inferioritetit dhe nënshtrimit, mirëpo mbi parimin e forcimit të interesave të shtetit të Kosovës.
Lojaliteti i verbër ndaj Perëndimit duhet të zëvendësohet me besnikëri ndaj interesave të Kosovës, që në disa raste mund të jenë në kundërshtim me ligjërimet e Perëndimit, me kusht që në fund të procesit Kosova del fituese!
Kosova ka nevojë për krijimin e partneriteteve të reja strategjike dhe nga një politikë që beson se qendrat multilaterale janë adresa e zgjidhjes së problemeve të Kosovës, duhet të ketë një rifokusim më realist dhe fuqizim të aleancave bilaterale.
Me çdo shtet që tashmë kemi marrëdhënie diplomatike, duhet të rishikohen marrëdhëniet tona, duke krijuar një dinamikë të re në marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe të bashkëpunimit më të ngushtë politik.
Nga iluzioni liberal i fokusuar vetëm në institucionet e BE-së në Bruksel, energjia e politikës së jashtme duhet të zhvendoset në shtete veç e veç, duke krijuar mekanizma të bashkëpunimit bilateral.
Ka përfunduar koha ku rajonin duhet ta shikojmë nga perspektiva e Brukselit. Ne duhet të afrohemi me Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë Veriore edhe jashtë kornizave të bashkëpunimit evropian.
Bashkëpunimi me Shqipërinë nuk duhet të jetë më vetëm emocional, por edhe praktik. Kosova përfundimisht duhet të çlirohet nga ideja se ne jemi diga e Perëndimit dhe demokracisë në botë.
Ne duhet t’i eksplorojmë mundësitë e bashkëpunimit më të thellë me ekonomi botërore, që ta ndihmojmë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Për herë të parë, ne duhet ta bashkojmë politikën e jashtme me atë të sigurisë dhe të mbrojtjes. Integrimet evropiane duhet t’i vendosim në ‘autopilot’, deri sa të navigojmë drejt anëtarësimit në NATO, si një prioritet afatshkurtër dhe të rrisim bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me shtete të ndryshme të botës.
Kjo gjendje e skicuar në këtë OpEd, që ngjan me pikturën e famshme „The Scream“ të Edvard Munch, nuk duhet të na demotivojë.
Kjo asnjëherë nuk na ka dekurajuar për të vazhduar drejt tokës së premtuar, tokës evropiane, si një kornizë afatgjate e modernizimit të shoqërisë dhe stabilitetit politik.
Por, tani jemi para një situate të re gjeopolitike, ku efektet e pandemisë do t’i tjetërsojnë shtetet dhe do t’i riorientojnë interesat e tyre. Ne si një shtet i papërfunduar duhet ta kërkojmë vendin tonë në një botë gjithnjë në ndryshim!