Drejtori i Arsimit në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, ka kritikuar Qeverinë për masat e reja anti-Covid, e posaçërisht për mbylljen e shkollave dhe vendimin që mësimi të vazhdojë online.
Morina ka shkruar në Facebook se ai ka katër fëmijë, dy prej të cilëve janë studentë, një në shkollë të mesme dhe një në shkollë fillore, ndërkaq në shtëpi ka vetëm një laptop.
Ai i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, që të ia sigurojë edhe tre laptopë.
“E nderuar Qeveri e Republikës së Kosovës! I nderuar Ministër i Shëndetësisë! E nderuar Ministre e Arsimit! Unë kam 4 fëmijë, 2 prej tyre janë studentë, 1 në shkollë të mesme dhe 1 në shkollë fillore! Familja ime kemi veç 1 laptop, ndërsa si Drejtor Komunal i Arsimit marrë pagë neto 667 €. Të ardhura të tjera nuk kam nga familja ime 6 anëtarësh! A keni mundësi ju të më huazoni për kohën sa mbahet mësimi online edhe 3 laptopë? Familjes sime kaq i duhen! Po të tjerëve që nuk kanë asnjë të punësuar në familjet e tyre, sa ju duhen?!”, ka shkruar Morina.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim institucionet e arsimit parauniversitar të qëndrojnë të mbyllura nga data 12 deri më 18 prill, institucionet e arsimit universitar të qëndrojnë të mbyllura nga 7 deri më 18 prill dhe që formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor ta organizojnë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit.