Kryeministri dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po thotë se mbrëmë fitoi opozita e sonte duhet të fitojë shteti duke aluduar në zgjedhjen e Vjosa Osmanit, presidente të Kosovës, por jo me vonë se sot paradite, Kurti kërcënonte opozitën me shkuarjen në zgjedhje.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka ndryshuar qasje nga ajo e paradites kur kërcënonte opozitën me zgjedhje të reja në mes të pandemisë, nëse nuk do ta votonin Vjosa Osmanin presidente.
“Ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, kishte shkruar Kurti më heret.
Ai tani po thotë se mbrëmë ka fituar opozita e sonte duhet të fitojë shteti.
Ndërsa nuk ka qenë i qartë nëse është tërhequr nga Kuvendi projektligji për Zgjedhjet, diçka të tillë ka kërkuar LDK në mënyre që të jetë e pranishme gjatë zgjedhjes se presidentes.
Postimi i plotë:
Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë.
Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona.
Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore, shkruan Telegramisot