Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit.
Në rastin aktual të zgjedhjes së presidentit të ri, sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, procedurat për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojnë me 5 prill.
Miftaraj në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se në bazë të Kushtetutës, proceduarat për zgjedhjen e presidentit fillojnë një muaj para përfundimit të mandatit të postit të presidentit.
“Në bazë të Kushtetutës së paku nga një precedent kur kemi të bëjmë me një president në detyrë e cili ka mandat të rregullt jo me ushtrues detyre do të duhej që një muaj para skadimit të mandatit të fillon procedura e emërimit të presidentit të ri. Më këtë logjik deri më 5 prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës, partitë politike duhet të fillojnë procedurën e zgjedhjes së presidentit të ri”, ka thënë ai.
Të drejtën për të kandiduar për president e kanë të gjithë qytetarët të cilët plotësojnë kriteret e caktuara nga Kushtetuta.
Një person për të kandiduar për të parin e vendit duhet të sigurojë 30 nënshkrime të deoutetëve, por një deputet nuk mund të japë nënshkrimin për dy kandidatë.
“Çdo qytetarë që përmbush kriterin e moshës ka të drejtë të kandidoj por për këtë i nevojiten së paku 30 nënshkrime të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”.
“Një deputet që jep nënshkrimin për një kandidat, nuk ka të drejtë ta jap për të dytin, në këtë drejtim do të duhej të kemi së paku dy kandidatë të cilët me votim të fshehtë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka treguar se për tu zgjedhur president i vendit kandidati për president në dy raundet e para duet të merr së paku 80 vota, ndërsa në raundin e tretë i nevojiten vetëm 61 vota.
“Në raundin e parë dhe të dytë duhen së paku 80 vota për që të votojnë presidentin e ri dhe nëse kjo nuk ndodh në dy raundet e para, atëherë në raundin e tretë nevojitet 61 vota për që te kemi presidentin e ri”, është shprehur Miftaraj.
Vjosa Osmani është kandidatja e VV-së për presidente. Ajo ka qenë ushtruese e detyrës së presidentit nga 5 nëntori i vitit 2020 ku në cilësinë e kryetares së Kuvendit kishte marrë këtë post, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ndaj të cilit Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë.
Nga 14 marsi postin e ushtruesit të detyrës së Presidentit e ka marrë Glauk Konjufca që është edhe kryetar i Kuvendit.