Propozim-ndryshimi i ligjit për zgjedhjet, i iniciuar nga Levizja Vetëvendosje, përveç se u mundëson votuesve nga diaspora të votojnë në ambasadat e Kosovës në shtetet ku ata jetojnë, i mundëson edhe Kryeministrit Albin Kurti që në rast se shkohet shpejtë në zgjedhje të jetë bartës i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo pasi propozimi-ndryshimi i ligjit zgjedhor riformulon piken q) të nenit 29, paragrafi 1, të Ligjit bazik, ‘sanksionin’ ligjor ky i cili Kurtit ia pamundësoi pjesëmarrjen në listën zgjedhore të partisë së tij, LVV, në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Reporteri.net.
Propozim-Ndryshimi i këtij ligji, që pritet të votohet pas pak në Kuvend të Kosovës, pasi u miratua në Qeveri, parasheh që vetëm personat “e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim, në tri (3) vitet e fundit” të mos mund të garojnë në listat zgjedhore.
Ligji për Zgjedhjet, aktualisht, parasheh që secili person “i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, nuk është i aftë për certifikim si kandidat në zgjedhje. Rrjedhimisht, i njëjti, sikurse në rastin e Kurtit në zgjedhjet e fundit, i ka pa mundësuar kujtdo që ka qenë i dënuar në 3 vitet e fundit, qoftë nga shkalla e parë, për çfarëdo vepre penale dhe çfarëdo forme dënimi, që të garojë në zgjedhje.