Në vazhdën e tubimeve zgjedhore koalicioni AAK-PSD në mbrëmjen e sotme kanë takuar simpatizantët në Komunën e Obiliqit. Nga këtu, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj duke e mbrojtur qëndrimin e taksës 100 përqind, theksoi se zërat se me Serbinë duhet pasur reciprocitet janë të gabueshëm, pasi sipas tij ende herët është me bërë reciprocitet me ta.
Haradinaj simpatizantëve në Obiliq iu tha se në zgjedhjet e 6 tetorit janë vetëm dy zgjidhje, njëra zgjidhje për të është reciprociteti që nënkupton ngadalë me i dhënë Serbisë gjithçka, apo koalicionin 100 përqind që përfaqëson ai.
“Në Serbi ishin ka lutën që mos nuk po fiton Ramushi edhe largohet taksa. Ata ishin ka presin që mos po fiton këta të reciprocitetit. Reciprocitet mundemi me bërë me Shqipërinë, njësoj andej e këndej. Por me Serbinë është hala herët me bërë reciprocitet. Sepse po na rrezikojnë dhe s’po na dojnë. A po doni një Kosovë që ka ushtri dhe që është e mbrojtur. Edhe në ditën që është bërë ushtria edhe mbas ka pas në Kosovë këta të reciprocitetit thoshin është bërë pa konsultime dhe plotë fjalë të tjera por është kryer. Unë jam për një Kosovë që është në shtëpi të vet që vendos vet. Miku mik, por në shtëpi temën dua me vendos unë. Unë po i’u siguroj që tu vendos vetë për vetën tonë në shtëpi tonë, nuk jemi kundër armiqve, por kanë me na dashtë më shumë”, tha ai.
Kandidati për kryeministër foli edhe për konkurset e KEK-ut që janë hap tash së fundi, sipas tij këto janë bërë vetëm për qëllime elektorale. Teksa edhe një herë premtoi se do ta bëjnë ligjin për Mitrovicën, dhe tha se në zgjedhjet e 6 tetorit do të vendoset për një Kosovë që i kryen punët e vështira siç ishin formimi i Ushtrisë dhe Trepçës.
Duke ia kërkuar votën simpatizantëve në Obliqi, Haradinaj premtojë se kanë me rritë çdo vit buxhetin për këtë komunë dhe do të kenë mbështetjen për shumë projekte kapitale.