Gjykata Themelore në Ferizaj ka refuzuar kërkesën për paraburgimin e shtetasit bullgar I.A, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej dymijë eurosh, shkruan Gazeta Sinjali.
Siç thuhet në vendimin e Gjykatës, i dyshuar në vendkalimin kufitar të Hanit të Elezit kishte tentuar t’i korruptonte zyrtarët me 20 euro me qëllim që ta kalonte kufirin pa e paguar sigurimin plotësues për kamion dhe rimorkio.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 02.04.2021, në vendkalimin kufitar Hani Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejte iu ka ofruar para personave zyrtar, me qëllim që të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare , në atë mënyrë që me rastin e hyrjes në pikën e kontrollit me kamion dhe me rimorkio, gjatë dorëzimit të pasaportës, zyrtarit policor H.B., i ka dhënë edhe një kartëmonedhë prej 20 euro, të cilat i ka vendosur në brendi të pasaportës, me qëllim që të kaloj kufirin pa e paguar sigurimin plotësues për kamion dhe rimorkio, të cilat janë sekuestruar përkohësisht nga zyrtari policor”, thuhet në vendim.
Me këtë rast palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.