Propozimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, e ka konsideruar si rrezik të madh, teksa ka përmendur se ngjashëm kanë vepruar edhe udhëheqës shtetëror të cilësuar si autokrat.
Molliqaj, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, iu është referuar Kurtit si “autoritar” teksa ka thënë se përbën rrezik për shoqërinë.
Ai, tutje, e ka parë edhe si shantazh ndaj opozitës fjalimin e Kurtit në seancën e së premtes në Kuvend, ku i pari i ekzekutivit paralajmëroi për shkuarje në zgjedhje në rast se nuk votohet presidenti.
Postimi i plotë:
Rreziku Kurti
Shantazhi i sotshëm i Kurtit ndaj opozitës është shpërfaqje e kulluar e autoritarizmit që ka pushtuar politikën në vende të tjera.
Viti 2003. Erdogan fiton zgjedhjet. Një vit më vonë ndryshon sistemin zgjedhor në Turqi.
Viti 2010. Òrban fiton. Një vit më vonë e gjithë Kushtetuta e Hungarisë ndryshon, me theks të veçantë në sistemin zgjedhor që i konvenonte atij.
Viti 2000. Putini zgjidhet president. Pas shuarjes së skandalit të paraardhësit të tij ai vendos ta ndërroj sistemin zgjedhor në Rusi brenda pak ditësh.
Viti 2021. Për dy javë qeverisje të Kurtit ai po shatanzhon opozitën duke ndryshuar ligjin për zgjedhje e duke blerë vota nga përfaqësuesit e pakicave, siç është rasti me Qazim Rrahmanit, i cili mbi të gjitha është i dënuar për korrupsion. Edhe anti-korrupsionin e ka veç si farsë.
Si autoritarët e tjerë, Kurti është rrezik i madh dhe i menjëhershëm për shoqërinë. Në këtë rrafsh, kushdo që i nënshtrohet shantazhit të tij po kontribuon drejtpërdrejt në dëmtimin e Kosovës.