Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e dytë për ditën e sotme, e ka miratuar unanimisht nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Qeveria e Kosovës pas pranimit të përfundimit të Kuvendit të Kosovës të datës së sotme për dhënien e mendimit lidhur nismën legjislative për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 03/L-256 në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe me përfundimin e Kuvendit të Kosovës jep mendim lidhur me nismën legjislative dhe e mbështet këtë nismë. Sipas kërkesës nga përfundimi i Kuvendit është përgatitur edhe opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor që do t’i procedohet Kuvendit”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj do t’ua mundësojë bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë që të mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e vendeve respektive duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme.
“Ky Projektligj për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i ri. Ai është një gjë që u pat iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë dhe ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani po e miratojmë në qeveri për ta proceduar më tej për miratim në Kuvend. Ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e mundëson votimin e bashkatdhetarëve për votim në ambasadat dhe konsullatat e Republikës duke ua krijuar mundësinë për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme”.