Ish-Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka folur për hapjen e shampanjës në vitin 2016 nga ai dhe stafi i tij kur ishte premtuar liberalizimi i shpejtë i vizave për Kosovën.
Ai në Rubikon ka deklaruar se ata e hapën shampanjën pasi morën përgjigje nga Komisioni Evropian për përmbushje të kritereve për liberalizim të vizave.
“Për të gjithë qytetarët që mendojnë se Qeveria e Kosovës i kishte gënjyer dua të them se ishin të gabuar. Besoj se në raste gëzimi nuk duhet të kursehemi nga hapja e shampanjës, sepse çdo suksesi shtetëror institucionet dhe qytetarët duhet t’i gëzohen dhe duhen të festojnë”.
“Ky ishte momenti më i duhur. Hapja e shampanjës simbolizonte përmbushjen dhe kryerjen e punës nga ana jonë. Për mua ishte misioni i përmbushur, edhe për Ministrinë e Integrimeve dhe Qeverinë e Kosovës sa i përket punës sonë”.
“Mirëpo, në këtë proces ka pasë dy palë – kemi qenë ne dhe detyrat tona që kishim, pra obligimi ynë ishte përmbushja e kritereve. Në këtë ishim të diskriminuar si shtet në krahasim me shtetet tjera, pasi kishim dyfishin e kritereve, mirëpo nuk jemi ankuar për këtë dhe ne i kishim përmbushur të gjitha ato. Ky ishte momenti kur e morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian – në këtë moment puna jonë kishte përfunduar. Shampanja që kanë hapur miqtë e mi të ngushtë është tërësisht e merituar dhe e justifikuar”.
“Një qytetar i cili i beson një të huaji dhe jo një zyrtari të shtetit të vet është një mentalitet që duhet të ndryshojë. Qytetarët duhet t’iu besojnë zyrtarëve të vet. Në këtë moment kemi festuar përmbushjen e obligimeve shtetërore. Neve duhet të na shajnë dhe kritikojnë kur nuk i kemi kryer punët tona. KE zyrtarisht ka dalë në vitin 2016 që ka deklaruar se Kosova i kishte përmbushur kërkesat për liberalizim. Neve nuk na trajtojnë si shtet shtetet e BE-së”, ka thënë Çollaku.