Muhamet Alidema është kosovari i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës. Atij gjykata sot ia ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Alidema, me vendbanim në Beograd të Serbisë, kishte ardhur për herë të parë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, teksa përfundoi në pranga nën dyshimin për krime të luftës, shkruan lajmi.net.
Siç mëson lajmi.net, Alidema është me prejardhje nga fshati Kerrninë i komunës së Istogut, teksa edhe familjarët e tij jetojnë në fshatin e tij të lindjes.
Gjatë luftës, sipas informacioneve Alidema dhe të afërmit e tij kishin pasur lidhje të ngushta me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
Por çka thotë dosja e Prokurorisë për Muhamet Alidemën?
Sipas Prokurorisë, Alidema dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fshatin Izbicë.
Fillimisht ata e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë.
Në masakrën e 28 janarit në Izbicë ishin vrarë e masakruar 147 civilë të pafajshëm, burra, gra, pleq e fëmijë.
Ajo është ndër masakrat më të përgjakshme të gjenocidit serb ndaj popullatës civile shqiptare në luftën e fundit në Kosovë.