Një konflikt që dyshohet se ndodhi më 12 mars mes çiftit N.B dhe F.B në Zvicër përfundoi me vdekjen e gruas kosovare, F,B. Kosovarja ka vdekur më 19 mars, pas një jave në kujdesin intensiv.
Gjithçka ndodhi në shtëpinë e tyre në Schafisheim të Zvicrës.
44-vjeçarja së bashku me burrin e saj, N.B, 46-vjeçar kishin tre fëmijë nga lidhja bashkëshortore.
Në mediat zvicerane thuhet se njëra nga vajzat e kishte lajmëruar rastin e dhunës në Polici. Viktima F.B ishte gjetur në gjendje tejet të rëndë dhe raportohej se ndihma e parë e kishte kthyer në jetë.
Prokuroria në Zvicër ka treguar se burri i kosovares, N.B është duke u mbajtur në paraburgim dhe po hetohet.
“Personi i dyshuar është në ndalim hetues”.
Ende nuk dihen arsyet e konfliktit mes tyre që dyshohet se çuan deri në vrasjen e F.B.
Prokuroria në Zvicër thonë se ende nuk dihet motivi që dyshohet se e ka shtyrë kosovarin që ta rrah gruan për vdekje, por se janë duke vazhduar hetimet në këtë drejtim.
Kjo varet nga hetimet që janë duke vazhduar.
Në mediat zvicerane thuhet se sipas Zyrës së prokurorit lokal, N.B nuk kishte asnjë ndjekje penale në të kaluarën.
Për rastin kanë mbetur të shokuar edhe fqinjët e çiftit, pasi sipas tyre, ata shquheshin për raportet e mira ndërmjet vete.
Rastet e dhunës në familje që përfunduan me viktima ishin të shumta në Kosovë, por edhe në mërgim.
Rasti i fundit që shokoi vendin ishte rasti i familjes Zuka nga Zvicra, ku kryefamiljari vrau gruan, dy djemtë e tij e pastaj edhe veten. Ngjarja kishte ndodhur në natën e 30 dhjetorit në Pozheran të Vitisë.