Luke Stark, asistent profesor në Western University në Ontario, Kanada ka refuzuar 60 mijë dollarë nga gjigandi i teknologjisë Google.
Stark aplikoi për një çmim në Google Research Scholar, një grant hulumtimi, deri në 60,000 dollarë për të mbështetur profesorët që janë në fillim të karrierës së tyre.
Stark studion ndikimet sociale dhe etike të inteligjencës artificiale dhe dha propozimin e tij për një projekt kërkimor që synonte të studionte se si kompanitë po përdorin inteligjencën artificiale për të zbuluar emocionet.
Në një intervistë për CNN Business, Stark u shpreh se vendosi të aplikonte për fondin “për shkak të idesë në atë kohë që Google po ndërtonte një ekip inteligjent me të vërtetë të fortë, potencialisht udhëheqës në industri”.
Megjithatë, pak kohë pas aplikimit të tij, Timnit Gebru, bashkë-udhëheqëse e ekipit të inteligjencës artificiale në Google dhe një grua me ngjyrë u largua nga Google.
Gebru shkroi në Twitter se u pushua nga puna pasi dërgoi një email ku mes të tjerash shprehte zhgënjim për mungesën e vazhdueshme të diversitetit në kompani dhe për një proces të brendshëm në lidhje me rishikimin e një dokumenti hulumtues të papublikuar.
Largimi i saj solli një krizë disa mujore për kompaninë, duke përfshirë largimet e punonjësve dhe një ndjesë nga CEO i Google për mënyrën se si rrethanat e largimit të Gebru bënë që disa punonjës të vinin në dyshim vendin e tyre atje.
Google kreu një hetim të brendshëm për këtë çështje, rezultatet e të cilit u publikuan në të njëjtën ditë që kompania shkarkoi udhëheqësen e ekipit të Gebru, Margaret Mitchell, e cila kishte qenë vazhdimisht kritike ndaj kompanisë në Twitter pas largimit të Gebru.
Të gjitha këto ngjarje bënë që kur Google i dërgoi Stark një email urimi duke i ofruar 60,000 dollarë, ky i fundit të refuzonte. Ai tha se ndjeu se kishte nevojë të refuzonte çmimin për të treguar mbështetjen e tij për Gebru dhe Mitchell, si dhe ata që ende punojnë në Google.
“Mendimi im i parë ishte se duhet ta refuzoj.” tha ai.