Qeveria e re e Kosovës po këmbëngul që të pezullohet çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme që të mos ketë “veprime të ngutshme dhe në shpërputhje me planin dhe qëllimet e ekzekutivit të ri”, të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Qeveria Kurti është në javën e parë të detyrës së saj dhe tanimë jemi në proces të hartimit final të programit qeverisës. Aty edhe përfundimisht do të adresohet veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-së”, thotë Kryeziu.
Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së. Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do krijohet Fondi Sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.
Më 25 mars, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga AKP-ja të pezullojë shitjen e pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Këtë kërkesë ai e bëri teksa bordi i kësaj agjencie po mbante mbledhje.
Në agjendë të kësaj mbledhjeje ishin planifikuar disa vendime, si shitje me negocim, propozim për qiradhënie, transferim të kontratës së qirasë, shitje të pronave përmes tenderëve publikë të aseteve të ndërmarrjeve publike, memorandume të ndërmarrjeve të shituara me metodën e spin-off special.
Bordi i AKP-së ndërpren mbledhjen pas kërkesës së Kurtit
Zyrtarë të AKP-së kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se të premten, më 25 mars, bordi ka qenë duke mbajtur takim të rregullt dhe ka vazhduar me procedurat ligjore të vendimmarrjes deri në pranimin e kërkesës nga ana e kryeministrit Kurti, që ka ardhur përmes e-mailit në ora 12:45 për “marrjen në konsideratë të pezullimit të vendimeve” sipas kërkesës.
“Bordi i drejtorëve ka diskutuar kërkesën e qeverisë dhe konform kërkesës ka ndërprerë mbledhjen në orën 13:30, duke pezulluar po ashtu procesin e vendimmarrjes për pikat e pashqyrtuara sipas agjendës së propozuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të AKP-së.