Një rast ekstrem i dhunës në familje është regjistruar në Caserta të Italisë, ku protagonistë janë anëtarët e një familjeje shqiptare, babai, nëna dhe djali.
Pas denoncimit të 16-vjeçarit për keqtrajtime çnjerëzore, policia arrestoi babanë e dhunshëm, 54 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në zonë. Në 6 mars të këtij viti, adoleshenti u arratis nga shtëpia dhe e denoncoi të atin, duke u shpjeguar oficerëve episodet e dhunës. Edhe bashkëshortja e 54-vjeçarit u thirr gjithashtu në polici dhe pranoi se ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht nga i shoqi.
Mes dëshmive tronditëse të 16-vjeçarit, “Ansa”, që publikoi lajmin, veçon një rast, kur i ati e kishte gjetur në shoqërinë e një miku të padëshiruar nga babai dhe e kishte lidhur me zinxhirë te makina, duke e tërhequr zvarrë nëpër fshat. Më pas e qëlloi në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Të dy rrëfyen edhe momente të tjera, kur ai, mes poshtërimeve, i kishte goditur edhe me rrip apo sende të tjera të forta.