Rahoveci pas dy vazhdimeve ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me shifrat 102:94 (16:19, 15:21, 26:17, 23:23, 8:8, 14:6), në kuadër të javës së 26-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar, me të dy skuadrat që nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat, kurse 10 minutat e parë përfundojnë me shifrat 16:19. Por, në periodën e dytë mysafirët ishin më të mirë, duke pasur epërsi konstante, derisa pjesën e parë arritën ta përfundojnë në të mirë të tyre 31:40.
Pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë më mirë e nisën vendasit, që arritën të barazojnë shifrat në 42:42, e më pas zhvillohet lojë e barabartë, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 57:57. Lojë tërësisht e barabartë u zhvillua në 10 minutat e fundit, me shumë rikthime, por pa fitues dhe ndeshja shkon në vazhdime, 80:80. Por, as pas 5 minutave shtesë nuk kishte fitues, me të dy skuadrat që shënuan nga tetë pikë. Megjithatë, në vazhdimin e dytë, Vreshtarët nuk lëshuan pe, ku Darell Davis udhëhoqi sërish vendasit, që triumfuan në fund 102:94.
Te Rahoveci u dalluan Ed Daniel me 23 pikë e 10 kërcime, Altin Morina me 14 pikë, 11 kërcime e 9 asistime dhe Darell Davis me 33 pikë, ndërsa te Bashkimi u dalluan Obinna Oleka me 25 pikë e 19 kërcime, Julian Hamati me 10 pikë e 15 kërcime dhe Milos Latkoviq me 22 pikë, 7 kërcime e 8 asistime.
Rahoveci ka 17 fitore dhe 9 humbje, ndërsa Bashkimi 11 fitore dhe 15 humbje.