COVID-19 ka shënuar sot shifër rekorde të rasteve pozitive në Kosovë për këtë vit, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga 4371 mostra të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe laboratoret private janë regjistruar 873 raste pozitive, përkundër 544 të shëruarve dhe 11 raste të vdekjeve.
Prishtina është qyteti me më së shumti raste pozitive me gjithsej 372 të tilla e përcjellë nga Gjilani, Fushë Kosova, Gjakova, Mitrovica dhe Vushtrria.
Kjo ka bërë që ky të jetë numri më i madh i të infektuarve me këtë virus për vitin 2021 në Kosovë, shkruan klankosova.
Në dhjetë ditët e fundit numri i të prekurve me koronavirus nuk ka zbritur asnjëherë nën 700.
Kjo rritje e madhe e rasteve me pandeminë që po përndjek gjithë globin mori hov të madh në vendin tonë për këtë vit që nga 22 shkurti, pikërisht një javë pas zgjedhjeve parlamentare.
Numri më i vogël i rasteve të regjistruara brenda tre muajve të parë të këtij viti ishte shënuar më 4 janar ku pozitivë kishin dalë vetëm 169 persona.
Ndërsa, nëntori i vitit 2020 mban rekordin e numrit më të madh të të infektuarve në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë.
Më 13 nëntor të atij viti nga 2056 testime të bëra pozitivë kishin rezultuar 963 persona.