Përfaqësuesit e koalicionit AAK-PSD, Driton Çaushi dhe Teuta Haxhiu mbajtën konferencë për media ku e bënë shpalosjen e një pjese të programit të tyre për arsimin.
Ky koalicion mes tjerash synon që sistemin e arsimit ta përmirësojë duhet ndërhyrë fillimisht tek fakulteti nga ku studentët dalin mësues dhe më pas edhe me rritjen e buxhetit për 50 përqind.
“Në këtë rreth të degraduar të sistemit arsimor duhet ndërhyrë në secilën pjesë e segmentit të tij, duke filluar nga sistemi universitar. Në radhë të parë duhet ndërhyrë në Fakultetin e Edukimit për shkak se duhet të ofrojmë përgatitje të mirëfilltë të mësuesve që do të shërbejnë në shkollat e Republikës së Kosovës”.
“Do të mbështesim autonominë e institucioneve që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë. Do të punojmë për kontroll të shtuar në universitete për plagjiatura”.
“Do të ofrojmë bibliotekë elektronike për studentët që do të kenë qasje në literaturë ndërkombëtare. Të gjitha këto do të arrihen përmes rritjes së gjithëmbarshme të buxhetit”.
“Së bashku me partnerin tonë të koalicionit do të sigurohemi që të drejtën e cila u garantohet të rrinjve në Republikën e Kosovës ta sigurojmë edhe për arsimin e lartë, pra nënkuptojmë që arsimi i lartë duhet të jetë falas si për nivelin bachelor ashtu edhe për master, kjo duke e marrë parasysh edhe gjendjen socio-ekonomike të të rinjve tanë dhe mundësinë që duhet garantuar secilit prej tyre”, u shpreh Çaushi i PSD-së.
Ndërkaq koleg’ja e tij nga AAK-ja, Teuta Haxhiu, shtoi edhe disa prej pikave të programit të tyre:
“Synojmë ta bëjmë depolitizimin e arsimit parafillor, fillor dhe të mesëm. Depolitizimi i punësimit në arsim është shumë nevojë urgjente dhe kjo do të ndodhë përmes transparencës në arsim”.
“Çdo shkolle në Kosovë do të ketë pedagogë dhe psikologë. Kontrollë rutinore shëndetësore dhe shujta të shëndetshme ushqimore për fëmijët parashkollorë, parafillorë dhe fillorë”.
“Ne synojmë hapjen e dy çerdheve në secilin qytet të Kosovës dhe të gjitha këto që i përmendëm do të arrihen përmes rritjes së buxhetit në 50 përqind”, përfundoi Haxhiu, e cila tha se për këtë kanë bërë plan të detajuar.