Albin Kurti tashmë ka treguar se çfarë do të bëj në ditët e para të pushtetit të tij. Ai ka paralajmëruar se do t’i zhbëjë “vendimet e paligjshme të qeverisë jo kushtetuese” të udhëhequr nga Avdullah Hoti, si një nga vendimet e para që do t’i ndërmarr si kryeministër i ri.
Kurti ka thënë se do t’i kthejë mbrapshtë disa vendime të ndërmarra nga qeveria Hoti, e cila ishte në detyrë deri sot.
“Kemi një plan me një mori vendimesh që do t’i marrim, por natyrisht që ndër vendimet e para që do t’i marrim janë që vendimet e qeverisë jo kushtetuese dhe jo legjitime, t’i kthejmë mbrapsht”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ri i ekzekutivit, dhjetë ditë më parë njoftoi se do t’i rishikojë të gjitha emërimet në pozita drejtuese të bëra nga Qeveria Hoti.
Ai, madje i bëri thirrje asokohe kryeministrit në detyrë Hoti që të ndalojë çfarëdo forme të rekrutimit dhe punësimit nga aty e tutje, pasi siç tha ai, të gjitha vendimet do të ndërpriteshin nga qeveria në ardhje e tij.