James Rubin, Ndihmës-sekretari i Shtetit në administratën e Bill Klintonit, diplomati amerikan që ishte ndër protagonistët kryesor në arritjen e Marrëveshjes së Rambouillet, është shprehur krenar me ndihmën amerikane për popullin e Kosovës në kohën kur ai ishte pjesë e Departamentit të Shtetit Amerikan.
Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan thotë se për sa kohë që populli dhe liderët e Kosovës u qëndrojnë prapa parimeve demokratike dhe të tolerancës, parime këto që e kanë bërë Perëndimin të intervenojë, nuk ka arsye që Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit të mos e shohin Kosovën si vend mik dhe vend me të cilin vazhdojnë të jenë krenarë që e kanë ndihmuar.
Sipas tij, votuesit në Kosovë iu ka dhënë përparësi liderëve që mendojnë se zhvillimi i Kosovës ngec nga mungesa e njohjes ndërkombëtare.
“Disa thonë se problemi i parë është se zhvillimi i Kosovës ngec nga mungesa e njohjes ndërkombëtare. Dhe, të tjerët thonë se ky është vetëm arsyetim për një sistem politik të ngecur. Duket se këtë herë votuesit e Kosovës u kanë dhënë përparësi këtyre të dytëve dhe dëshirojnë ta provojnë këtë. Te liderët e rinj nuk e shoh gatishmërinë që ta zgjidhin çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Liderët e rinj duket se kanë prioritete tjera”, thotë Rubin.
Rubin thotë se nuk ka liderë në Kosovë dhe Serbi që janë të vendosur t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe të arrijnë paqe.
“Këta janë njerëzit që nuk janë pajtuar as me Rambujenë, pa të cilën nuk do ndodhnin të gjitha tjerat. Këta do të provojnë të zgjedhin problemet përbrenda dhe nuk do ta shohin mungesën e njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, në NATO, në BE, si arsye pse zhvillimi i Kosovës është i kufizuar. Mbetet të shihet nëse e kanë mirë. Shpresoj që e kanë mirë. Shpresoj që gjërat mund të rregullohen. Edhe ashtu, tash për tash, nuk shoh që ka liderë në Kosovë dhe Serbi, që janë të vendosur t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe të arrijnë paqe. Kjo është për keqardhje, por është fakt”, thotë ai.
Tutje, Rubin thotë se nuk beson se evolucioni i Kosovës do të varet nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë.
“E ardhmja e Kosovës, në këtë fazë, duke u nisur nga ajo që e thamë më herët, është në duart e lidershipit politik që ka vendosur të ndez vetëm “motorin” e ndryshimeve të brendshme dhe të mos merret shumë me faktorët e jashtëm si njohjet, njohja reciproke me Serbinë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk duket se do të jetë prioritet i tyre. Pra, nuk besoj se evolucioni i Kosovës në të ardhmen e afërt do të varet nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të ishte e rëndësishme nëse do të ekzistonte dëshira për të arritur marrëveshje finale të paqes”, shprehet ai.
Sipas tij, është fat për Kosovën që Biden dhe Blinken e kanë Ballkanin si një nga momentet përcaktuese të angazhimit të tyre në politikën e jashtme,
“Për fat të mirë për Kosovën, keni një President në Shtëpinë e Bardhë dhe një Sekretar të Shtetit, të cilët e kanë Ballkanin si një nga momentet përcaktuese të angazhimit të tyre në politikën e jashtme, kur lidershipi amerikan ka qenë vendimtar, kur viktimat janë ndihmuar dhe agresori është sanksionuar. Nuk besoj që Biden dhe Blinken do ta harrojnë këtë. Biden e konsideron punën e tij në Bosnjë si një nga të arriturat më të mëdha të kohës sa ka qenë senator. Nuk besoj se do të harrojë se kush në cilën anë ishte në atë kohë”, thotë Rubin për demokracia.com.
Rubin thekson se çelësi për sukses në dialog është në duart e liderëve në Kosovë dhe në Serbi.
“Nuk besoj se çelësi për sukses në dialog është në duart e aktorëve të jashtëm. Mendoj se çelësi i suksesit në dialog është në duart e liderëve në Kosovë dhe në Serbi. Çështjet nuk duhet t’u nënshtrohen presionit nga jashtë, të detyrohet një shtet të njoh një shtet tjetër, të bëjë një shtet t’i harrojë të gjitha pasojat e luftës. Kjo nuk është në duart e vendeve perëndimore. Ne besojmë se edhe vendet e vogla kanë të drejta të njëjta dhe janë të barabarta me ne. Askush nuk mund t’u thotë se çfarë duhet të bëjnë. Këtë e bëjnë vetëm Rusia e Putinit dhe Kina e Xi-së në fakt. Ato thonë jemi shtet i madh dhe mund t’u themi të tjerëve se çfarë të bëjnë”, thekson Rubin