Ish-kryetari i Podujevës Agim Veliu dhe kryetari aktual i Istogut, Haki Rugova nuk do të jenë nënkryetarë të LDK-së.
Veliu e Rugova që ishin nënkryetarë të partisë për një kohë të gjatë nuk do të jenë më në këto pozita.
Me propozim të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe me miratim të Këshillit të Përgjithshëm, nënkryetarë të rinj të LDK-së janë zgjedhur Anton Quni, Gazmend Muhaxheri e Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi.
Kuvendi i Përgjithshëm ka zgjedhur edhe kryesinë e re, emrat e të cilëve do të publikohen sot gjatë ditës.
LDK-ja të dielën e 14 marsit zgjodhi kryetarin e ri në Kuvendin e X zgjedhor të kësaj partie.
Lumir Abdixhiku mori 191 vota nga 328 delegatët e LDK-së që morën pjesë në votim, kundrejt Lutfi Hazirit dhe Besian Mustafës.
Abdixhiku është zotuar se do të fillojë reformën e brendshme në LDK në degët dhe nëndegët e partisë në nivel vendi.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku poashtu ka deklaruar se para verës do të bëjnë publike edhe emrat e kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.