Ndonëse është njëra nga tregimet me të hidhura të luftës në Kosovë, gratë e fshatit Krushë kanë arritur që dhimbjen për humbjen e burrave ta kthejnë në forcë, për të vazhduar tutje përmes punës dhe angazhimit maksimal.
Përmes Kooperativës Bujqësore “Krusha”, gratë që cilat mbeten pa bashkëshortët e tyre në vitin 1999, u bashkuan në këtë ombrellë, si mënyra më e mirë për të gjeneruar të ardhura dhe të larguar mërzinë që po ua kujtonte atyre çdo ditë dhimbjen e madhe.
Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ka treguar se në vitin 2005 ajo kishte filluar si e vetme, për ta kthyer atë pas një periudha 14 vjeçare, në një biznes i cili punëson 55 punëtorë.
“Kam filluar individualisht, dhe nuk e harroj se kane qenë ditë të vështira. Deri në vitin 2010 kemi punuar si organizatë joqeveritare, ku falë GTZ gjermane aso kohe, ojq-në e kemi kthyer në kooperativë. Deri në vitin 2010 kemi vetëm 12 punëtorë, e tash jemi bërë 55 sosh”, ka shtuar Hoti.
Ajo ka theksuar se qëllimi kryesor i kësaj iniciative, përveç gjenerimit të ardhurave, ka qenë që përmes hapjes së vendeve të punës gratë e fshatit të socializohen, të diskutojnë duke shkëmbyer në mes vete biseda, duke synuar që ato të mos mbesin të izoluara.
“Nuk kemi dashur që ta kthejmë prodhimin tonë në prodhim industrial, sepse kemi synuar që çdo punë të preket me dorë dhe kështu të hapim sa më shumë vende pune, sepse duke i shtuar ne kapacitetet e prodhimit, do të shtohet edhe numri i punëtorëve”, ka thënë Hoti.
Më tutje ajo ka sqaruar nuk ka qenë i lehtë fillimi i biznesit, sepse sipas saj, ka ekzistuar një lloj paragjykimi për ato si gra të veja të cilat po merren me biznes.